E Diel, 1 Nëntor 2026

Të gjithë janë me qytetarët

Edvin Kulluri 

Debati më i fundit publik  rreth rrëzimit të projektbuxhetit të propozuar nga administrata e Bashkisë së Tiranës për vitin 2009 në këshillin bashkiak, po ravijëzohet si një çështje që ka zbritur në nivel lokal strukturën dhe ashpërsinë e debatit politik mes aktorëve më të mëdhenj të saj. Ashtu si në dy vitet e fundit, tre aktorët më të mëdhenj të politikës shqiptare, maxhoranca e drejtuar nga PD, PS dhe LSI, janë duke u kryqëzuar në mënyra të ndryshme në një çështje të vetme Nga njëra anë kreu i njëkohshëm i PS dhe Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, gjendet përballë rrëzimit të projektbuxhetit të vet, dhe nga ana tjetër PD dhe LSI, për arsye të ndryshme kanë rrëzuar me vota këtë dokument themelor të qeverisjes së kryeqytetit. Kuptohet vetvetiu se kjo çështje e qeverisjes vendore ka marrë një rëndësi të madhe. Së pari, sepse bëhet fjalë për buxhetin e bashkisë më të madhe në vend, dhe së dyti, sepse në krye të saj gjendet vetë kreu i partisë më të madhe të opozitës. Ndaj natyrshëm kjo përplasje i ka kaluar kufijtë e rëndësisë, që merr përgjithësisht një çështje e nivelit lokal, qoftë edhe në rastin e Tiranës. Po të shtojmë dhe faktin se debati po zhvillohet vetëm 5 muaj nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, atëherë bëhet akoma më e kuptueshme pse ky lajm ka marrë rëndësinë e dorës së parë.
Por përveç këtyre arsyeve, çfarë e prodhon këtë përplasje të ashpër politike dhe cilat mund të ishin zgjidhjet e saj? Si fillim duhet thënë se marrëdhënia mes kryetarit të bashkisë, i cili përfaqëson ekzekutivin në këtë institucion dhe këshillit bashkiak që është trupa legjislative e tij, është një marrëdhënie që rregullohet nëpërmjet votimit të hapur. Secila palë, e cila përfaqësohet nga anëtarët e vet në këtë këshill, voton sipas vendimeve të veta politike paraprake politikisht. Që do të thotë se votat shkojnë sipas pikëpamjeve që secila parti ka mbi qeverisjen e qytetit më të madh të  vendit. Kjo e bën votimin e buxhetit dhe akteve të tjera normative që duhet të miratohen me votë në "parlamentin e kryeqytetit", një akt të mirëfilltë politik. Dhe konkretisht si kryetari bashkisë, ashtu edhe përfaqësuesit e tjerë shprehin me anë të votës interesin publik në mënyrën e vet. Anëtarët socialistë të këshillit bashkiak duke votuar pro këtij projekt buxheti mendojnë se ky është një propozim i mirë, ndërsa demokratët dhe LSI-stët nuk ndajnë të njëjtin opinion. Të treja palët mund të kenë të drejtë në punë të tyre, por vetëm njëra palë ka të drejtë në këto raste. Ajo që ka shumicën. Për hir të së vërtetës e shumta dy palë. Ato që bëjnë shumicën. Dhe konkretisht votat e PD të marra së bashku me ato të LSI përbëjnë një shumicë që e rrëzon dokumentin themelor të qeverisjes 1-vjeçare të kryeqytetit. E gjitha kjo ndodh pikërisht në emër të përfaqësimit të interesave të qytetarëve, të cilat nuk janë homogjene apo bipartizane, por mund të jenë edhe më të larmishme si në rastin konkret ku kemi dhe një palë të tretë siç është LSI, e cila përveçse në këshillin bashkiak përfaqësohet në qeverisjen e kryeqytetit me dy minibashki që ajo drejton. Po të shtojmë dhe faktin se kemi dhe një palë të katërt, siç janë dy kryetarë të tjerë minibashkish siç janë ata që janë rreshtuar me PS '91, na del se problemi është akoma më i komplikuar. Pasi situate e krijuar përbën një produkt demokratik. Atë të kontrollit të një instance të pushtetit nga një instancë tjetër. Pra të ushtrimit nga ana e këshillit bashkiak të kontrollit dhe kufizimit të pushtetit ekzekutiv nga ana legjislativ nëse do të mund të shpreheshim kështu.
E thënë më thjeshtë, modeli politik me të cilin funksionon një bashki reflekton sistemin institucional në nivel lokal dhe për pasojë konfigurimin politik që rrjedh prej tij. Ndaj nuk është faji i PD se opozita nuk ndan të njëjtat qëndrime rreth shpërndarjes së investimeve të parashikuara nga kryetari i bashkisë dhe administrata e tij. Po aq sa nuk mund të akuzohet as LSI se PD gjendet në opozitë në këshillin bashkiak të Tiranës dhe mbase as i PS pse nuk di që të kërkojë konsensus në këto kushte. Sepse ndryshe nga sa po përpiqet Rama që ta "shesë" në publik këtë krizë të institucionit që ai drejton apo edhe nga thirrjet gjysmë melankolike e gjysmë patetike të vartësve të vet, ky buxhet mund të miratohet vetëm me vota në këshillin bashkiak. Pra Rama nuk urdhëron dot këshilltarët e partive të tjera që të votojnë sipas vendimeve që marrin vetë. E nën të njëjtën logjikë, as mbledhjet e tipit miting në Pallatin e Kongreseve me administratën e bashkisë, e as fjalimet e përlotura të Eduart Shalsit majë tarracës së bashkisë, nuk shmangin dot produktet e mosmarrëveshjeve brenda së majtës dhe procedurën demokratike të votimit. E në fund të fundit,  akuzat e ndërsjellta konspirative për bashkëpunim me "armikun historik" të PD-së, nuk e bëjnë këtë krizë të buxhetit një çështje të zgjidhshme. Zoti Rama është më e udhës të kuptojë se qeverisja e Tiranës në këto kushte kërkon gjetjen e konsensusit me njërin nga faktorët që mund ta zhbllokojnë situatën. PD-në ose LSI-në, të cilat në fund të fundit përfaqësojnë qytetarët votues të tyre dhe interesat legjitime të këtyre qytetarëve ndaj qeverisjes së qytetit. Këshilltarët bashkiakë të këtyre dy partive nuk mund të lënë mënjanë pikëpamjet e tyre mbi kryeqytetin për hir të akuzave patetike që vijnë prej kryetarit të PS, i cili përrallat me "armiq të popullit" po vazhdon ti konsumojë më kot që prej ditës së parë që ka hyrë në politikë. Ai mund të flasë vetëm në emër të votuesve socialistë të kryeqytetit. Të tjerët ka kush i përfaqëson. Kjo është një çështje që e kanë zgjidhur qytetarët me votë dy vite më parë dhe jo deklaratat e një njeriu që është po aq i zgjedhur saç do anëtar i këshillit bashkiak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›