Riarrestohet Lame, trafikoi 12 klandestinët e kapur në Kamëz
TIRANE – Tre anëtarë të grupit kriminal që u arrestuan gjatë aksionit “Triumf” ditën e djeshme, kanë precedentë penalë të mëparshëm, ndërsa dy prej tyre edhe pse ishin arrestuar më parë janë lënë të lirë nga gjykatat. Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se nga verifikimi i dosjeve hetimore është mësuar se njëri nga të arrestuarit, Alfred Çikani, i kapur dje në Tiranë, ka qenë person i shpallur në kërkim edhe më parë, pasi Gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Vendimi i kërkimit për këtë person mësohet se i kishte kaluar edhe Zyrës së Interpolit. Një tjetër i arrestuar, Korab Lama sipas verifikimeve që kanë bërë dje agjentët e policisë, rezulton se edhe më parë ka kryer trafik klandestinësh. Më 4 nëntor 2004, Korab Lama së bashku me dy persona të tjerë janë arrestuar nga policia e Tiranës për shkak se kishin grumbulluar një grup klandestinësh dhe po bëheshin gati për transportimin e tyre me furgon në drejtim të Greqisë. Arrestimi i Korab Lamës është bërë në afërsi të Kthesës së Kamzës aty ku klandestinët ishin grumbulluar për të hipur në furgonin tip “Ford”, që do t’i çonte drejt Greqisë. I arrestuari tjetër i djeshëm, Thanas Todhri është vendosur në pranga në 28 tetor 2004 për shkak se ka pasur një incident fizik me një 16-vjeçar.