E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, Task-Forcë për kontrollin e minierave

11/05/2010 Ministri prezanton urdhrin e firmosur nga katër ministri për kontrollin e zonës

Situata jo normale e aktivitetit minerar në këtë zonë detyron marrjen e masave shtesë

Qeveria vendos të ndërhyjë për të rregulluar situatën e shfrytëzimit të kromit në Bulqizë. Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, paraqiti dje një urdhër të katër ministrive me të cilin ngrihet një Task-Forcë për të rregulluar situatën atje. Urdhri në fjalë është firmosur nga ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ministri i Brendshëm, ministri i Financave dhe ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Në bazë të tij ngarkohen të gjitha strukturat e posaçme të katër ministrive, që të angazhohen në disiplinimin e aktivitetit minerar në zonën e Bulqizës. Në fjalën e tij gjatë konferencës, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës sqaroi se, firmosja e urdhrit për miratimin e Planit të Veprimit vjen si një reagim i katër ministrive për situatën problematike të konstatuar kohët e fundit në zonën minerare të Bulqizës. “Gjatë javëve dhe muajve të fundit kemi pasur në Bulqizë një situatë jo normale të aktivitetit minerar. Aktivitet në zona të rrezikshme, në disa raste aktivitet të kompanive të palicencuara, pra aktivitet të jashtëligjshëm minerar, dhe në disa raste është konstatuar se nëpër miniera punojnë persona nën moshën e punës. Pra, një situatë problematike ndaj së cilës ne katër ministra kemi reaguar, për të vendosur rregull, me një urdhër të përbashkët të firmosur nga të gjithë ne”, u shpreh Prifti. Duke u ndalur te urdhri, ministri i Ekonomisë tha se nëpërmjet tij ngarkohen të gjitha strukturat e Ministrisë së Ekonomisë, struktura të Ministrisë së Financave, si Tatimet dhe Doganat, strukturat e Ministrisë së Brendshme, si policia, struktura të Ministrisë së Punës, si Inspektorati i Punës, të vihen nën drejtimin e Prefektit të Qarkut të Dibrës. Pra, sqaroi Prifti, krijohet një Taks-Forcë e veçantë për të kontrolluar dhe disiplinuar të gjithë veprimtarinë e biznesit minerar në zonën e Bulqizës. Ndërsa theksoi faktin se Shqipëria është një ndër vendet më të pasur me krom dhe industria e kromit është shumë e rëndësishme për ekonominë shqiptare, ministri Dritan Prifti u shpreh se është shumë e rëndësishme që ky aktivitet të zhvillohet sipas ligjit, që kompanitë të jenë të licencuara dhe të zbatojnë rregullat e sigurimit teknik, që të garantohet jeta e minatorëve dhe e komunitetit në të gjithë aspektet. “Pra, e bëjmë këtë ndërhyrje për të mbështetur këtë industri, për të mbështetur komunitetin dhe për të mbështetur biznesin e ndershëm në zonën e Bulqizës, për t’i dhënë një nxitje më të madhe nxjerrjes dhe përpunimit të kromit në vend, por në mënyrë të ligjshme”, deklaroi ai. Problem kryesor në këtë zonë është vlerësuar edhe puna në zona të rrezikshme, ku shpesh herë aktivizohen dhe njerëz që nuk kanë mbushur moshën e punës, për të punuar në këto miniera. Ndërkohë në realizim të këtij urdhri, Task-Forca do të mblidhet ditën e enjte në Bulqizë në mënyrë që të zbatojë Planin e Veprimit, sipas urdhrit të firmosur nga katër ministrat.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›