IPP kalon në varësi të Drejtësisë
11/05/2010 Në kuadër të liberalizimit të funksioneve të institucioneve të varësisë së Këshillit të Ministrave, në mënyrë që mbarëvajtja e punës të jetë më afër fushës së veprimtarisë së institucioneve përkatëse, Instituti i Integrimit të të Përndjekurve ndryshon varësinë nga Këshilli i Ministrave te ministri i Drejtësisë. Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi dje projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8246, «Për Institutin e Integrimit të të Përndjekurve»”, i cili parashikon pikërisht këtë ndryshim. Funksionimi i Institutit pranë ministrit të Drejtësisë mendohet të ndikojë në një bashkërendim më të mirë të punës të tij në kuadër të integrimit të ish-të përndjekurve politikë në shoqëri, pasi në varësi të ministrit të Drejtësisë funksionon edhe sektori i trajtimit të kërkesave për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve dhe ish-të përndjekurve politikë. Amendimet parashikojnë që struktura dhe rregullorja e IIP-së të miratohen nga ministri i Drejtësisë, i cili emëron dhe shkarkon edhe drejtorin e këtij instituti, ndërsa buxheti që prej 2011-s do të parashikohet si zë i veçantë brenda Ministrisë së Drejtësisë.