Bulqizë, familjet e xhamisë nisin me lekë borxh ndërtimin e pallatit
BULQIZE – Për pak muaj mbushen plot 2 vjet që 15 familje të Bulqizës strehohen në xhaminë e qytetit. Ato braktisën pallatin ku jetonin prej vitesh, pas alarmit se ai mund të shembej dhe do t’i zinte brenda. Duke e parë të pamundur jetesën brenda xhamisë, ku u duhet të paguajnë dhe energjinë elektrike, ndonëse marrin nga një ndihmë të vogël ekonomike, disa prej familjarëve kanë nisur të kryejnë punime në godinën ku pritet të sistemohen, në Bulqizë. Tre familje, nga 15 që janë sistemuar në xhaminë e Bulqizës, prej janarit të vitit të kaluar, kanë nisur punimet privatisht për adaptimin e mjediseve të ish-kompleksit industrial në lagjen “Gjeologu” të Bulqizës. Në mbledhjen e fundit, Këshilli Bashkiak pajisi me autorizime të gjitha familjet që mbetën të pastreha nga shembja e pallatit në Qytetin e Ri të Bulqizës. Në mbledhje u ra dakord që “hyrjet” të ndaheshin sipas numrit të anëtarëve të çdo familjeje. Specialistët e bashkisë u ngarkuan me detyra konkrete për të ndarë mjediset, duke i porositur familjarët se fillimisht punimet do të nisnin nga ana e tyre dhe më pas mund t’i ndihmonte edhe bashkia me fonde. Të pyetur se a kanë mundësi financiare të investojnë në këtë pallat të lënë pas dore, familjarët thanë se buxheti i tyre nuk mjafton për bukën e gojës. “Ne kemi marrë garanci nga bashkia e qytetit se do të na ndihmojë me lekë për kryerjen e punimeve. Nuk jemi shumë të sigurt si do të ndodhë, por ne kemi marrë borxhe dhe kemi nisur punimet. Në xhami nuk mund të rrimë më gjatë. Atje mjediset janë të papërshtatshme. Boll kemi qëndruar 18 muaj. Me lekët e ndihmës ekonomike, nuk mund t’i përfundojmë punimet. Nëse Bashkia Bulqizë nuk e mban fjalën, ne do të zhytemi në borxhe për kryerjen e të gjitha punimeve, si suvatime, shkallë, punime elektrike dhe hidraulike, pa folur këtu për orendi shtëpiake”, thanë për gazetën “Panorama” familjarët. h.p