E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshira Subashi - Kampionia e qitjes që numëron votat



ANI JAUPAJ

Në kohë të tilla, pas zgjedhore, edhe pse zhurmat e kutive ende nuk kanë përfunduar, në Komisionin Zgjedhor të Zgjedhjeve, atmosfera është krejt e qetë. Nuk duket askush të hyjë e të dalë nëpër zyra. Thua se nuk ka qenë ky epiqendra e të gjithëve 9 muaj të shkuar. Duhet të kaloje përmes dy zyrave për të mbërritur në atë të fundit, ku, bashkë me tre kolegë të tjerë, punonte zëvendëskryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi. Në shfaqjet e saj televizive, mimika ka qenë njëherë krejt e qetë, e herë të tjera (me siguri më të shumta se e para për shkak të rrethanave) e nervozuar.
Por kur e takon në ditë si kjo, kur ankthi i atyre ditëve, që siç thotë Subashi ‘vetëm fillojnë, nuk mbarojnë ndonjëherë’ , ka përfunduar, të duket sikur ka qenë i gjithi defekt i kamerave, se nuk mund të kishte qenë ajo pak muaj më parë, rreth tryezës së rrumbullakët që hidhte dosjet në tavolinë, mbyllte derën e largohej. Dukej njeri krejt tjetër, i qetë, zhytur në rutinën e punëve të përditshme, pa iu dashur asnjëherë t’i japë ngjyra të forta tonalitetit të zërit, tek flet. Natyrisht që Subashi është shfaqur edhe kështu, vetëm se, sikur janë ato rastet më të forta, të ngarkuara emocionalisht, që të mbeten në kujtesë.
është ky i saji , një pozicion sa brenda, aq edhe jashtë politikës. Jashtë, për shkak të paanshmërive që duhet të ketë një anëtar i KQZ-së, ndërsa të gjithë elementët e tjerë, nuk mund veç se ta mbajnë të përfshirë në politikë. Këtë gjë, Dëshira Subashi e dinte qysh kur shkeli për herë të parë në shkallët e godinës së Pallatit të kongreseve për të shkuar në zyrën e saj të punës. Gardhi i gazetarëve përreth saj, ishte vetëm fillimi i luftës me veten për të mos u tërhequr nga emërimi që sapo kishte marrë në vitin 2003. Ishte kjo këmbëngulje, vendosmëria për t’iu shkuar gjërave deri në fund që e bëri të vijojë rrugën. Ashtu sikundër nuk u step në herën e parë të kandidimit për anëtare të KQZ-së, kur të gjitha gjasat ishin për të fituar e megjithatë nuk ndodhi kështu, ashtu nuk u tërhoq edhe më pas kur emërimin e kishte në xhep. Vërehet në vazhdën e punëve a karrierës së saj në vite një lloj vendosmërie kokëforte për t’iu shkuar gjërave deri në fund pavarësisht pengesave apo refuzimeve që i dalin përpara. Refuzime që nuk i hasi vetëm 7 vite më parë kur u ul për së pari në karrigen e anëtarit të komisionit zgjedhor. Po kaq qëndresë ka bërë edhe kohë më parë kur ka qenë vetëm pjesë e gjyqësorit. Qëndresa e rezistenca ende vijon, e ndoshta do të vijojë deri në ditën e fundit të këtij mandati të dytë...
Për këto e të tjera detaje që përfshinin familjen e saj, Dëshira Subashi, nuk kishte folur ndonjëherë më parë. E përfshirë aq shumë në sulmet e kronikave politike të lajmeve, ditë pas dite, sigurisht që kohë për të folur për veten, nuk kishte pasur. As për të thënë se, tek e fundit, çfarë fshihet pas nervozizmit të një gruaje që gjendet përditë nën trysninë e kamerave, të presioneve, fyerjeve. A mundet që pas gjithë këtyre, t’i vërë kyçin derës së zyrës e të kthehet e qetë në shtëpi? A mundet që të gjitha presionet mbi të të mos rëndojnë edhe mbi pjesëtarët e tjerë të familjes. Këto e të tjera, Dëshira Subashi i tregon për herë të parë në një intervistë për “Panoramën’.
Përpara se t’i hyjmë bisedës për shtatë vitet e fundit të punës, t’ia nisim nga fillimi, nga koha kur vendosët të zgjidhnit drejtësinë, profesionin tuaj?
Kur isha në gjimnaz, shkolla na aktivizoi në sportin e qitjes. Në fillim përfshirja nuk ishte shumë e madhe por më pas, arrita falë punës dhe këmbënguljes që të jem pjesë e ekipit kombëtar të qitjes. Nisën kështu konkurrimet në shkallë më të gjerë, filluam të dilnim për herë të parë jashtë, të shihnim vende të reja. Të gjitha këto, ishin impulsi im i parë për jetën, arritjet e para falë edhe rezultateve të mira, me medalje argjendi e bronzi. Kjo ishte këmbëngulja e parë që më bëri mirë për të vijuar me të tjerat.
Kishit nisur ndërkaq studimet e larta?
Po, për një kohë të gjatë, sado që me mundim, arrita që t’i mbaj të dyja.
ç’ndodhi më pas, kush fitoi prej të dyjave?
Ajo e studimeve ka qenë kohë mjaft e ngarkuar. Përveç sportit e shkollës, kisha krijuar edhe familjen e cila donte kohën e saj në dispozicion. E kam menduar mirë në fakt se kë duhet të zgjidhja, po për shkak të kohës së kufizuar që të lejon sporti, vendosa të zgjedh drejtësinë dhe u shkëputa. Por ngelet një nga kujtimet e mija më të bukura. Kur kam kohë, e ndjek nga larg edhe tani.
Nga sporti në sallën e gjyqit...Si ishte procesi i parë gjyqësor?
Në procesin e parë kisha njëfarë krenarie a euforie që ma jepte ndoshta edhe natyra e punës. Duhet të jepja për herë të parë një vendim çka më bënte të ndihesha dikush.
Megjithatë nuk duhet të ketë qenë edhe kaq e lehtë sa për të ndjerë vetëm kënaqësi?
E lehtë nuk ishte fare, ndoshta prandaj edhe jam kënaqur sepse unë eci pas motos ‘gjërat e vështira janë të bukura’. Unë e kam nisur punën time si gjyqtare në kohën e përmbysjes së regjimeve,. U përmbysën legjislacionet, ndryshuan praktikat zgjedhore, pra gjithçka. Të ishe brenda proceseve në kohën më të vështirë, nuk ishte pak.
Megjithatë nuk ka qenë kjo më e vështira, kohë shumë më të këqija erdhën më pas...
është e vërtetë, erdhën më pas tronditje aq të mëdha për mua sa nuk krahasohej koha e ndryshimit sado i madh të ishte. Në këtë rast ishte ndryshim personal, çka të rëndon më shumë se sa ai kombëtar. Në vitin ’98, kohë kur besoj që ka nevojë për përshkrime për ta kuptuar, u bënë reforma në Gjykatën e Apelit e cila u fragmentizua në 6 gjykata. Mua më emëruan gjyqtare në Gjykatën e Shkodrës. Mendoni pak se si duhet të jetë për një femër që i duhet të shkojë e të vijë përditë në një qytet ku nuk kishte as Komisariat Policie, ku ora 12 e drekës ishte maksimumi që mund të shihje njeri përjashta, pas kësaj orë çdo gjëje i vihej qepeni. Unë duhet të shkoja, me dosje në dorë, përditë ishte jashtë çdo mundësie.
Për sa kohë rezistuat?
Koha kur punova në Gjykatën e Shkodrës zgjati dy vite.
Nga kohëzgjatja duket që largimi ka ardhur prej vendimeve të mëvonshme sepse kohën më te keqe e paskeni kaluar atje. Në fakt, menduat ndonjëherë të tërhiqeni?
Për t’u tërhequr kam menduar më shumë se sa njëherë, ishte mendimi i çdo mëngjesi kur duhet të nisesha. E vetmja forcë që më bënte ta përballoja ishte inati ndaj një vendimi të padrejtë. Megjithatë gjatë gjithë kohës, rezistova duke i bërë kërkesa të njëpasnjëshme ministrit të Drejtësisë së asaj kohe dhe Presidentit të Republikës.
çfarë ndodhi më tej? I erdhi përgjigje pozitive ndonjërës prej kërkesave?
Jo. Në vitin 2000 vendosa ta lë gjyqësorin sepse u bë një shpallje për të zgjedhur drejtues të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. U interesova rreth këtij njoftimit, shfletova për kodin zgjedhor, mora informacione rreth vendit të punës dhe vendosa të kandidoj. Paraqita kërkesë konferencës gjyqësore, e cila pas votimit të fshehtë, rezultoi që shumica e cilësuar e gjyqtarëve të kishte votuar për mua duke dalë e para në renditje. Por vetëm kaq nuk mjaftonte. Votimet duhet të kalonin më pas në vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, vendim ky, që pa asnjë motiv e përmbysi të parin dhe unë nuk u zgjodha.
Si vijuan ngjarjet më pas që u zgjodhët?
Siç ju thash edhe më parë, kam një natyrë këmbëngulëse dhe ndoshta pak kapriçoze. Nëse më shkel në një gjë që unë e vlerësoj të drejtë, unë do t’i shkoj deri në fund. Pikëpyetja e vazhdueshme se pse nuk më votuan edhe pse isha në pjesën time më të mirë nuk më linte, pra fakti që KLD nuk e mori parasysh vendimin e gjyqtarëve të Republikës. Në vitin 2003 përfundonte mandati i një anëtari të KQZ-së kështu që vendosa të rikandidoj. Por këtë herë ligji kishte ndryshuar dhe propozimi duhet të bëhej nga partitë politike. Të dy ngjarjet e mija të mëparshme më bënin të mendoj se ç’kanë këta njerëz me mua e prapë vendosa t’i bëj kërkesë zyrtare PS për të qenë pjesë e KQZ. Natyrisht që me një kërkesë nuk është se ke gjë në xhep, megjithatë, përgjigjja ishte do ta analizojmë. Pasi u shqyrtua vendosën për mua.
Arritët vendin që donit, por mëngjesi i ditës së parë të punës, siç kanë treguar asokohe mediat, nuk ishte ashtu si do donit...na e përshkruani...
Pas urimeve të shumta, të nesërmen në mëngjes, në të gjitha gazetat, isha unë. Ishte një kalvar tjetër ky jo më pak i vështirë se i pari. Në ditën e parë të punës, të gjitha mediat shkruanin ‘Subashi të bëhet gati për dorëheqje’ unë ende nuk isha ulur në karrige, ‘PD nuk ishte dakord’ e të tjera si këto. Unë vendosa të hesht ndaj të gjithave por sigurisht me një heshtje që brenda vlonte. Edhe sot e vlerësoj qëndrimin që mbajta sepse po të isha bërë pjesë e replikave ndoshta do ta kisha bërë vërtet dorëheqjen.
Nën këtë presion, si ishte dita e parë e punës?
Salla e KQZ-së ishte e mbushur e gjitha me kamera, me aparate fotografike, blicet që shkrepeshin papushim e gazetarë që më pyesnin pse kisha ardhur. Nuk i kisha jetuar më parë të tilla emocione. Media njëfarësoj të komplekson kur nuk je e stërvitur. Megjithatë, në mbledhjen e parë, edhe pse përfaqësuesi i PD, thotë që nuk e njohim emërimin, kryetari, Celibashi, u përpoq ta kalonte me batuta duke e anashkaluar këtë moment, të parin të çudisë time.
Pse të çudisë?
Sepse nuk mundet që një gjyqtar të bëhet publikisht palë i një partie politike, cilado qoftë ajo. Përgjigjja që do më vinte atë kohë ishte ’Kush je ti’, por heshta, hutimi më bëri të mos thoja asgjë. Asnjëherë më parë nuk kishte pasur aq shumë media në një mbledhje KQZ-je. Sapo dola nga salla u rrethova nga kamerat e mikrofonët të shoqëruar nga pyetja “Kur do jepni dorëheqjen?”. Merret me mend ankthi e njëmijë e një ndjesive të papërshkrueshme që të jepnin, të bllokonin, por arrita të them ‘Ju e shikoni që sot fillova punë’. Pas kësaj përgjigje nuk pati asnjë pyetje tjetër.
Nuk ka sesi në këtë situatë t’i shpëtosh nervit të punës...
Unë përgjithësisht jam e qetë në vendimmarrjet e punës, por në këtë pozicion nuk i shpëton ndërhyrjeve të përfaqësuesve politike që janë pjesë e punës. Sidoqoftë është e papranueshme që një partiak të bëjë vlerësime qoftë pozitive qoftë negative për mua. Ligji i ka të ndara pozicionet. Nuk bëj asnjë tolerim në këto raste, nuk duhet lejuar kurrsesi që një përfaqsues i një partie politike të të komentojë apo analizojë punën në KQZ, në mbledhjen e KQZ-së. Për mua është e patelorueshme dhe është vetëm ky moment që unë reflektoj e nervozuar. Nuk është e lehtë të organizosh e të bësh vendimarrje për çështje zgjedhore, ku interesat politike janë prezente ,por edhe kjo vendimarje ka kurbat e veta ,të ulta e të larta.Tensioni është i lartë, si do të shkojë dita e zgjedhjeve, ç’probleme do të dalin me vendimmarrjen tonë më pas, si do të shkojë numërimi deri në nxjerrjen e rezultatit. Ditët janë të pakta, por përjetohen të gjata pa fund.
Në kohën e rezultatit zgjedhor tonet ngrihen, pozicionet ngrutësohen...
Kjo është pjesa më e vështirë e punës. Gjatë vendimmarrjes për nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, tensionet politike ngrihen, çka reflekton edhe në punën e institucionit të KQZ. Nuk ka më vullnet të secilit për ta sheshuar problemin. Pala fituese thotë të mos hetohet, pala humbëse thotë të hetohet. Nëse do të kishte një vullnet më të mirë hetimi zgjedhor lidhur me pretendimet e partive politike për rezultatin zgjedhor, gjykoj se do t’i kishte shërbyer më mirë edhe vetë politikës. Ndërsa po të ish hetuar nuk do kishim më konflikt.
Në fakt, duke qenë pjesë e një punë të tillë, përherë nën presionin e cilësdo palë, a është e mundur të qenit i paanshëm?
është e vështirë t’i jap përgjigje tani... mjafton njëri nga anëtarët të bëjë një argument, që sigurisht lidhet në çdo rast me një farë politike dhe tjetri do ta kundërshtoj, rrjedhimisht do hysh në debat (dhe domosdoshmërisht mer një ngjyrim). Gjithsesi njëra palë ka të drejtë. Dhe këtë të drejtë duhet ta japë gjykata. Në çështjet zgjedhore nuk jam shumë komode të shprehem për vendimet e gjykatës, por nuk mund të mos besoj faktin, që politika nuk shtrin ndërhyrjet e saj edhe në vendimmarrjen e gjykatës.
Në rastin tuaj, pse është perceptimi i të qenit me Partinë Socialiste?
Partia Socialiste më ka propozuar për këtë detyrë dhe sigurisht vlerësoj shumë besimin që kanë pasur. Mirënjohja për këtë vlerësim në asnjë rast nuk ka ndikuar për njëanshmëri në detyrën time. (Nëse ju gjeni një rast në të cilin të mos i jem referuar ligjit atëherë po). Unë gjithnjë në punën time kam vetëm një udhërrëfyes, që është ligji zgjedhor. Sigurisht, nëse PS ka bërë kërkesa në një proces zgjedhor që në vlerësimin tim janë të drejta, natyrisht që do të kishte mbështetjen time në vendimarje; kjo është detyra ime.
Do të bënit të njëjtën gjë edhe për palën tjetër?
Natyrisht që e kam bërë në çdo rast, pa asnjë hezitim.
Në të gjitha këto situata të tensionuara që keni kaluar, nuk kanë mbetur pa u prekur as familjarët tuaj...
Unë jam në këtë karrierë falë familjes time e cila më ka mbështetur në çdo vendim timin, qoftë ky i vështirë, por jo pa pasoja për to. Nëse në rastin e Shkodrës, im shoq, Maksimi, më sugjeronte ta rimendoja vajtjen, në këtë rast nuk më tha tërhiqu. Në tensionin e krijuar në emërimin tim të parë përpiqej gjithnjë të ishte i kujdesshëm për të më larguar nga ekrani. Situata të tilla sidoqoftë kanë qenë ankth i paimagjinueshëm për të gjithë ne, qoftë në familje qoftë në shoqëri. Kishte miq të mitë që i ndiqnin titujt e parë të gazetave qysh pasmesnate sapo dilnin dhe nisnin mesazhet telefonike që në atë orë. Siç thashë edhe më parë, ishte një ditë që vetëm fillonte.
Si është përjetuar prej fëmijëve kjo gjë?
Fëmijët e kanë vuajtur më shumë dhe kjo është e vetmja pjesë për të cilën unë nuk ndihem rehat, nuk mund ta kaloj pa një brejtje në ndërgjegje. Fakti që të dy ata, qoftë djali, qoftë vajza, kanë qenë shpesh të penalizuar e i kanë lëvizur ose i kanë lënë fare pa punë në profesionet e tyre nuk mund të mos më rëndojë sado që asnjëri prej tyre nuk e shpreh këtë pjesë. Im bir ka emigruar gati një vit më parë drejt Kanadasë për këtë arsye e kjo nuk mund të mos më bëjë të ndihem jo mirë. Nuk do kisha dashur që asnjëri prej tyre të largohej nga vendi i tij. Cënimin e tyre unë e përjetoj dyfish megjithatë tani nuk ka më rikuperim.
Ia ka vlejtur e gjithë kjo përpara kësaj brenge? Nëse do ktheheshit pas, do ta bënit?
Nëse do kisha menduar si sot, do isha menduar shumë mirë përpara se të merrja vendimin. Fundja përjetimet profesionale i kisha më të mira atje ku isha, fëmijët do ishin padyshim më mirë. Megjithatë tani nuk ka kthim pas. Do ta përfundoj edhe këtë mandat dhe do shikoj, ndoshta i rikthehem gjyqësorit, kodi e parashikon këtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›