Zhdukja e Bleonës, shoqërohet halla
Halla dhe një fqinje e familjes së Bleona Matës shoqërohen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Një furgon i policisë ka transportuar nga fshati i thellë Zapod në Kukës drejt kryeqytetit dy prej vajzave që kanë parë për herë të fundit 6-vjeçaren, ditën e zhdukjes së saj. Pasi kanë kaluar 22 ditë, prokurorët, nisur dhe nga këmbëngulja e prindërve të Bleonës, kanë përqendruar hetimin pikërisht te grupi i të rejave që ndodheshin në kullotë me Bleonën, ditën e 22 majit. Mëngjesin e djeshëm, Alketa Mata, 23 vjeçe dhe fqinja e familjes, Gentiana Manga, po 23 vjeçe, janë thirrur për t’u marrë në pyetje. Burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda pohuan dje se ato janë të vetmet, të cilat duhet të dinë dhe të japin shpjegime për zhdukjen misterioze të Bleonës. Ato janë mbajtur në ambientet e Prokurorisë deri në orët e pasdites vonë, për t’u rikthyer sërish në Kukës. Ndonëse dëshmitë e vajzave janë marrë dhe më parë, por nga ekspertët në Kukës, duket se shoqërimi drejt Tiranës është realizuar me qëllim krijimin e presionit ndaj tyre, për të treguar çdo detaj mbi momentet e largimit të Bleonës. Vetë halla e vajzës ka pasur luhatje në dëshminë e saj dhënë në polici pas zhdukjes së Bleonës dhe asaj që u ka treguar prindërve të saj. Ky fakt ka bërë që të thellohen dyshimet për pozicionin e Alketës dhe Gentianës në këtë çështje.
Dëshmia e re nuk bëhet e ditur saktësisht, por konfirmohet se deri tani nuk ka ende asnjë provë që të çojë në gjetjen e gjurmëve të fëmijës së zhdukur. Ndonëse grupi i vajzave në kullotë me Bleonën ka qenë më i madh, plot 5 vetë, mësohet se thirrja e dy 23-vjeçareve është bërë pasi ato janë dhe më të mëdhatë me moshë. Hetuesit dyshojnë se pikërisht dy 23-vjeçaret të fshehin ndonjë histori, për të cilën Bleona e vogël ka qenë dëshmitare dhe persona të tjerë mund ta kenë rrëmbyer atë për qëllime presioni apo për të mos nxjerrë në shesh të vërtetën. Alketa Mata jeton në të njëjtën shtëpi me familjen e vëllait të saj, njëkohësisht babai i Bleonës në Zapod. Ndërsa vajza tjetër është fqinje e tyre në të njëjtin fshat. Në momentin e zhdukjes së Bleonës, siç ka treguar e ëma e 6-vjeçares, Alketa e ka telefonuar, duke i thënë se ishte larguar për të mbledhur bagëtitë, por kur është kthyer nuk e ka gjetur mbesën e saj. Ajo ka pohuar se ka gjetur vetëm xhupin e Bleonës dhe pak më larg të vetin, me të cilin ishte mbështjellë e mbesa, shenjë kjo që vajza ka lëvizur ose është lëvizur nga vendi ku është lënë. Mbetet mister fakti, pse grupi i vajzave ka lëvizur për te bagëtitë në të njëjtën kohë, duke e lënë të vetme Bleonën, vetëm 6 vjeçe. Tashmë edhe tabulatet e telefonëve të njerëzve nën hetim, që mund të kenë lidhje me persona të tjerë të dyshuar si të implikuar në ngjarje, janë në zbardhje e sipër. Prej këtej prokurorët shpresojnë se mund të shkojnë drejt gjetjes së gjurmëve të Bleonës. Pak ditë më parë, i ati dhe nëna e Bleona Matës kërkuan thellimin e hetimit, duke këmbëngulur te marrja në pyetje e vajzave me të cilën ndodhej 6-vjeçarja.