Leksion koreano-jugor për grekët
Koreja e Jugut e ka nisur me fitore Botërorin “Afrika e Jugut 2010”, duke mundur 2-0 Greqinë në ndeshjen e parë të grupit B. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Nelson Mandela” të Port Elizabet është dominuar nga skuadra aziatike, e cila nga edicioni në edicion, tregon se është bërë një eksperte në kompeticione të tilla. 90 minutat e këtij takimi kanë qenë të ngjashme me ato të dy sfidave të djeshme, pasi skuadrat kanë dhuruar sërish pak momente të bukura, duke menduar më shumë të mbrohen. Koreanët gjetën rrugën e golit pas vetëm 7 minutash lojë me anë të Jung-So Li, duke shtanguar skuadrën e Oto Rehagel. Greqia rrezikoi vetëm dy herë, por skuadra helene vazhdon të mbetet më shumë e orientuar drejt mbrojtjes. Në pjesën e dytë, goli i mesfushorit të Mançester Junajtid Ji Sun Park vulosi këtë takim. Me një shpejtësi të frikshme, ai doli i vetëm me portierin, duke dyfishuar shifrat. Kjo fitore e bën Korenë e Jugut favorite në grupin B, bashkë me Argjentinën e Maradonës.