E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, katër të arrestuar për vjedhje të mineralit të kromit

Më së fundi, policia duket se i ka "shpallur luftë" punës së jashtëligjshme për vjedhjen e mineralit të kromit brenda galerive të minierës së Bulqizës dhe në stoqet e saj. Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë së Bulqizës bëjnë me dije se katër persona në qytetin minator kanë rënë në prangat e policisë. Shkak për ndalimin e tyre është bërë puna e jashtëligjshme për marrjen e mineralit të kromit nga galeritë e minierës. Agron Truka, Dëfrim Lica, Saimir Balla dhe Rexhep Rushiti, në orët e vona të së enjtes janë prangosur nga policia, teksa përpiqeshin të merrnin mineral kromi në rrugë të jashtëligjshme. Sipas burimeve të policisë, një informacion i marrë nga policia private e ruajtjes së galerive të kromit ka mundësuar kapjen në flagrancë të autorëve të grabitjes së kromit. Të katër personat janë kapur në flagrancë teksa përpiqeshin të ngarkonin në një mjet transporti 80 tonë krom, të nxjerrë nga galeria 16 në zonën e parë të minierës, pronë kjo e firmës së huaj koncesionare ruso-austriake Albanian Chrome ACR. Të ndaluarit, pasi janë mbajtur një natë në ambientet e Komisariatit të Policisë së Bulqizës janë dërguar në Peshkopi, në pritje të marrjes së masës së sigurisë për ta nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, ku në cilësinë e provës materiale kundër tyre do të shërbejë edhe minerali i kromit prej 80 tonësh i sekuestruar nga policia. Ndërkaq mësohet se ka nisur procedimi penal për dy administratorë të firmës private të galerisë 16, të pusit nr.1, në minierën e Bulqizës, ku dhe ndodhi aksidenti i së enjtes, ku si pasojë e shembjes së një masivi gurësh nga tavani i galerisë humbi jetën 32-vjeçari Behar Toçi, babai i tre fëmijëve. Kështu Remzi Pupli dhe Surja Uka, përkatësisht drejtues dhe përgjegjës teknikë të kësaj galerie, janë marrë në procedim penal nga Prokuroria e Dibrës në gjendje të lirë, për të plotësuar dosjen hetimore të aksidentit ku humbi jetën 32-vjeçari Behar Toçi. Edhe pse në harkun kohor të më pak se dy viteve në minierat e Bulqizës dhe Batrës kanë humbur jetën 17 minatorë, në asnjë rast nuk ka dalë përgjegjësia për këto humbje jetësh, duke i konsideruar ato thjesht si aksidentale.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›