E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitja e "Albtelekomit", 15 fletëthirrje në prokurori

Ministri dhe ish-ministri i Ekonomisë, Gjergj Ruli dhe Anastas Angjeli, do të dëshmojnë në Prokurorinë e Tiranës për shitjen e gjigantit telefonik shqiptar "Albtelekom". Megjithëse kanë kaluar rreth katër vjet nga zhvillimi i tenderit, hetuesit e çështjes kanë hapur letrat dhe vërejtur mangësi të shumta gjatë caktimit të firmës fituese nga komisioni i vlerësimit. Në mënyrë të përmbledhur, prokuroria deklaron se nën akuzë mund të vihen 15 persona, të cilat ishin pjesë e vlerësimit të ofertave. Në lidhje me fletëthirrjen për Rulin, prokuroria shpreson që ministri ta ndihmojë për procedurat e mëvonshme për privatizimin e kompanisë shtetërore të telekomunikacionit. Ndërsa dëshmia e Angjelit mund ta ndihmojë prokurorinë për të përcaktuar procedurat e zhvillimit të tenderit. Ata mund të pyeten gjithashtu për mangësitë e dyshuara të prokurorisë gjatë përzgjedhjes së firmës turke "Çalik". Burimet nga akuza thanë se tenderi për përzgjedhjen e firmës fituese të "Albtelekomit" është zhvilluar më 6 maj 2005.

Procedurat

Hetuesit deklarojnë se me një vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) është caktuar Komisioni i Transparencës dhe Konsulencës, i cili përbëhej nga 12 anëtarë. Komisioni drejtohej nga ish-ministri i Ekonomisë, Anastas Angjeli. Anëtarët, me një vendim të Këshillit të Ministrave të mëvonshëm, morën rolin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Pas këtij vendimi, janë shtuar edhe përfaqësues të huaj në konsulentë. Prokuroria deklaron se Komisioni i Transparencës ka marrë 2 miliardë lekë "shpërblim" për punë të mirë gjatë procesit të privatizimit të kompanisë shtetërore të telekomunikacionit. Mësohet se pas vlerësimit të ofertave (që ishte një e vetme) është vendosur shitja e "Albtelekomit" me një vlerë 120 milionë euro. Nëse ka abuzime, sipas prokurorisë, anëtarët dhe konsulenti që u futën në komision janë përgjegjës për vlerësimin e gabuar të ofertës.

Hetuesit e çështjes thanë se një firmë e vetme ka bërë ofertë për shitjen e "Albtelekomit". Sipas prokurorisë, një gjë e tillë është abuzive, pasi, sipas ligjit shqiptar, nëse shpallet tenderi për privatizimin e një subjekti shtetëror, duhet të jenë më shumë se dy firma që konkurrojnë. Fillimisht, tri firma kanë qenë në garë, por kanë hequr dorë tri ditë nga zhvillimi i tenderit, duke lënë në garë vetëm një firmë. Kjo firmë e mbetur në garë, sipas prokurorisë, ka bërë ofertën në momentin e fundit. Prokuroria e Tiranës thotë se dokumentacioni i paraqitur ka qenë jo i plotë. Por, Komisioni i Vlerësimit në vend që të shpallte të pavlefshëm tenderin e ka pranuar ofertën duke e shpallur firmën fituese të rregullt. Mësohet se edhe shoqëria që ka fituar tenderin, "Çalik", ka qenë degë e firmës turke, ndërsa shoqëria që i është bashkangjitur ka qenë fantazmë. Madje kjo shoqëri, sipas akuzës, është krijuar pasi ka fituar të drejtën e pronësisë mbi "Albtelekomin". Tenderi për përcaktimin e firmës fituese të "Albtelekomit" është zhvilluar në muajin maj të vitit 2005.

Hetimet

Në sitën e organit të akuzës janë drejtuesit dhe ish-drejtuesit e Ministrisë së Ekonomisë. Nga një llogaritje e thjeshtë e grupit hetimor, rezulton se firma gjermane "Axos" ka ofruar 200 milionë euro më shumë se kompania turke "Çalik". Në fund të vlerësimit të ofertave, komisioni ka vendosur të shpallë fituese firmën turke, duke "injoruar" ofertën gjermane. Kjo e fundit, me një letër drejtuar kabinetit "Berisha", shprehte pakënaqësitë e përzgjedhjes së firmës fituese. Prokuroria ka marrë në dorëzim një kopje të ofertës së paraqitur nga kompania gjermane. Sipas ofertës, "Axos" kishte si qëllim ta zhvillonte "Albtelekomin" në qendër të shërbimeve të telekomunikacionit rajonal. "Albtelekomi" parashikohej të ofronte shërbime konkurruese të telefonisë fikse dhe mobile për 50 për qind të popullatës deri në vitin 2012. Përveç 200 milionë eurove shtesë, krahasuar me ofertën fituese të "Çalik", marrëveshja do të përfshinte përhapjen e shpërndarjes së teledensitetit nga niveli 8 për qind që është sot, në 25 për qind brenda pesë vitesh, si dhe ndërtimin e një rrjeti WiMax, duke qenë se licenca për këtë teknologji do të përfshihej në transaksion. Në ofertë parashikohej reduktimi i listës së pritjes për t‘u pajisur me numra të rinj, si dhe ulja e tarifave dhe ngarkesës së roaming-ut ndërkombëtar, sipas standardeve të BE-së. Por gjithçka është hedhur poshtë nga qeveria shqiptare, e cila preferoi 120 milionë eurot e turqve përballë 320 milionë eurove të gjermanëve, çka solli edhe hetimin e Prokurorisë së Tiranës. Një tjetër abuzim, sipas akuzës, është mospublikimi i kontratës nga Ministria e Ekonomisë. Krahas zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë, prokuroria do të marrë në pyetje edhe ish-zyrtarë të saj, me në krye ish-ministrin Anastas Angjeli.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›