E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjueti ndaj xhamave të zinj dhe kundër-tabelave

Rikthehet furtuna e policisë rrugore për të gjithë drejtuesit e mjeteve, të cilët nuk respektojnë legjislacionin shqiptar, që nga përdorimi i xhamave të zinj, e deri te kundërvajtjet administrative. Me urdhër të krerëve të Policisë së Tiranës, komisariati i policisë rrugore ka ndërmarrë një operacion, të cilin e ka filluar dje dhe do ta vijojë edhe gjatë ditëve në vijim. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se gjatë këtyre ditëve janë realizuar një sërë analizash dhe është vendosur që të ndërmerret një operacion masiv në të gjithë qarkun. Sipas informacioneve, objekt parësor do të jetë bllokimi i të gjitha mjeteve që qarkullojnë me xhama të zinj, fenomen i cili bie ndesh me ligjet aktuale. Gjatë verifikimeve policia ka vënë re se jo vetëm xhamat e zinj janë shqetësues, por edhe disa mënyra të tjera, që janë zgjedhur nga përdoruesit e mjeteve për të shpëtuar nga penalizimet. Është vënë re se shumë mjete përdorin sinjalistikë të veçantë, siç janë kundër-tabelat dhe fenelinat. Kështu, edhe makinat me këto sinjale do të bllokohen dhe të dërgohen për ndjekje penale. Ky operacion ka filluar dje, ku policia rrugore dhe patrulla e përgjithshme kanë realizuar disa bllokime mjetesh. Ato i janë nënshtruar proceseve të verifikimit dhe më pas do të merren vendimet se çfarë do të veprohet me to.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›