Mamurras, bie nga shtylla, vdes elektricisti
Një elektricist ka gjetur vdekjen dy net më parë teksa tentonte të riparonte një defekt në një shtyllë të tensionit të lartë në Mamurras. Burimet policore lokale bënë të ditur se në sallën operative është njoftuar se në vendin e quajtur "Kampingu" në qytetin e Mamurrasit, një elektricist është rrëzuar nga një shtyllë tensioni gjatë punës për riparimin e një defekti elektrik. Në vendngjarje ka shkuar menjëherë grupi hetimor, ku nga veprimet e para hetimore rezultoi se Xhemal Koleci, 59 vjeç, lindur në Mat dhe banues në lagjen "Demokracia" të qytetit të Mamurrasit në Rrethin Kurbin, me detyrë elektricist i zonës, rreth orës 20:00, ka qenë duke riparuar një defekt elektrik. Pasi është ngjitur në një shtyllë tensioni, në një lartësi rreth shtatë metra nga toka, papritur ka rënë duke pësuar dëmtime të rënda. I dëmtuari është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Laçit e më pas në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore. Por, me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, ai nuk ka mundur të mbijetojë. Nga ana e policisë janë kryer të gjitha veprimet e para procedurale, ndërkaq, materialet i janë referuar prokurorisë për hetime të mëtejshme.