Kapet vrasësi shqiptar në një spital të Torinos
Një klandestin shqiptar është arrestuar të premten teksa ndodhej i shtruar në spitalin e Torinos. Besnik Zuna, i cili mjekohej prej dy vjetësh në spital, pasi kishte pësuar një aksident rrugor në korrik të vitit 2006, përfundoi në pranga për shkak të një vendimi të dhënë nga Gjykata e Tiranës, ku 42-vjeçari është gjetur fajtor për vrasje të kryer më 28 shtator 1999 në Babrru të Tiranës, afër vendit të quajtur "Kafja e Rremës". Vrasja ka ndodhur gjatë një zënke në lokalin e Zunës, ku dy klientë, njëri prej të cilëve i armatosur, po grindeshin me njëri-tjetrin. Besnik Zuna, sapo ka parë grindjen, ka qëlluar me armë drejt dy klientëve, duke lënë të vdekur në vend njërin prej tyre, Albert Tujanin. Për këtë ngjarje, Gjykata e Tiranës, me vendim të datës 28 dhjetor të vitit 2000, e ka dënuar me 14 vjet heqje lirie. Autoritetet shqiptare e kishin shpallur Zunën në kërkim ndërkombëtar dhe kishin njoftuar policinë italiane se vrasësi ndodhej ndoshta në Torino. Pas verifikimeve të rastit, shqiptari është arrestuar të premten dhe më pas është transferuar në spitalin e burgut në Molinete, në pritje të një ekstradimi që mund të mos ndodhë kurrë, duke qenë se ai mund të përfitojë nga fakti se është i sëmurë. Ai fshihej në Itali me emrin Arjan Lukani. Kjo kishte vështirësuar punën e policisë për identifikimin dhe kapjen e tij.