E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në errësirë, mister shkaqet

Edhe pse eksportojmë energjie elektrike, kjo nuk do të thotë që vendi të ketë një furnizim normal me drita. Nuk kaloi shumë nga koha kur qeveria publikoi planin e shitjes së energjisë drejt Greqisë dhe sistemi energjetik shqiptar u përball me defekte të rënda të stacioneve elektrike 400 kilovolt. Për dy ditë më radhë, një pjesë e Shqipërisë, jugu, e më tej, një ditë më pas, veriu, u përballën me mungesën e plotë të energjisë elektrike. Më e rëndë u paraqit situata në Shqipërinë e Mesme, ku Tirana dhe Elbasani u gjendën për disa minuta në errësirë të plotë. Shkak për këto ndërprerje të papritura ishin avaritë në disa nënstacione 220 kilovolt, në veri dhe në jug të vendit. Drejtuesit e OST-së, deklaruan dje se, të enjten rreth orës 20:30, si pasojë e motit të keq ndodhi një avari e rëndë në linjën 220 kv Burrel-Elbasan.

OST njoftoi se, avaria e ndodhur në këtë linjë ka sjellë stakimin e nënstacionit 220 kv dhe 400 kv të Elbasanit, duke lënë pa energji elektrike qytetin e Elbasanit, Jugun e vendit dhe pjesën më të madhe të Tiranës. Sipas kreut të OST-së, Ymer Balla, pas situatës së krijuar, u morën masat për lokalizimin e avarisë dhe kthimin në normalitet të gjithë sistemit energjetik. Zonat të cilat ngelën pa energji elektrike si pasojë e avarisë, u normalizuan pas 45 minutash. Në një pjesë të Tiranës, për shkak të një tjetër avarie të ndodhur në linjën Selitë-Sharrë, energjia elektrike në zonat që furnizohen nga kjo linjë u rikthye pas 2 orësh.

Më e rëndë u krijua situata gjatë paradites së djeshme, kur si pasojë e një avarie të ndodhur në linjën e transmetimit të Kosovës, vendi u përball me mungesë të plotë prej 15 minutash pa energji elektrike. "Rreth orës 09:15 është stakuar linja e interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Më pas është renduar linja që lidh sistemin grek dhe u stakuan të gjithë agregatet zinxhirë nëpër hidrocentrale. Ne do të analizojmë shkaqet pse ndodhi avaria", u shpreh drejtori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Balla. Pas defektit të parë, menjëherë u stakua edhe autotransformatori 400 kv i Elbasanit, si rrjedhojë sistemi shqiptar shkëputet nga sistemi grek. "Lidhur me avarinë e ditës së djeshme, bëhet e ditur se si rezultat i prishjes së balancës së fuqisë, u stakuan agregatët në hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Për pasojë, ndodhi rrëzimi i plotë i sistemit tonë energjetik. Për rivendosjen e gjendjes u morën masa të menjëhershme, fillimisht brenda 30 minutave mori pjesërisht energji elektrike Tirana, pas 15 minutash i gjithë qyteti i Tiranës dhe një pjesë e vendit u furnizua me energji elektrike", sqaroi dje OST-ja. U deshën plot 90 minuta që sistemi elektroenergjetik shqiptar t‘i rikthej normalitetit.

Ndërkaq, reshjet e shiut dhe dëborës ditët e fundit në zonat malore në veri të Shqipërisë ka rritur nivelin e ujit në digën e HEC-it të Fierzës, duke e çuar në 291 m, 5 m larg pikës maksimale. Në këtë kuotë hidrocentrali është i detyruar të hapë portat për të ruajtur digën nga përmbytja, pasi prurjet kanë arritur në 380 m3/sek. Me këtë nivel prurjeje, HEC-et në të gjithë vendin janë duke prodhuar rreth 20 milionë kw energji elektrike, shumë pranë kërkesës për konsum.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›