Bulqizë, konflikt për minierat,plagoset me kallashnikov punëtori
BULQIZE – Plagoset me armë zjarri punëtori i një subjekti minerar në rrethin e Bulqizës. Nuk është hera e parë që mes banorëve të këtij rrethi, të licencuar ose jo, regjistrohen konflikte, deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Burime të sigurta informacioni saktësojnë, se dje rreth orës 11:30 është qëlluar me armë zjarri, kallashnikov, 36-vjeçari Zenel Grrica, i cili punonte tek një galeri kromi e një firme private në fshatin Tërnovë të komunës së Zerqanit. Mësohet se minatori po udhëtonte drejt frontit të punës me një mjet kur i është zënë pritë nga persona të paidentifikuar. Punëtorë të tjerë të firmës private kanë vënë në dijeni policinë lokale dhe madje kanë kërkuar ndihmë për dërgimin e të plagosurit rëndë në spitalin e Bulqizës. Plagët e marra dhe mungesa e mjekëve specialistë në këtë spital kanë detyruar drejtuesit e tij të vendosin për dërgimin e tij në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Burime të besueshme policore bëjnë të ditur se prej ditësh mes dy subjekteve minerare kishin nisur sherre për një galeri kromi në këtë zonë, madje është bërë dhe një denoncim në policinë e Bulqizës, ndërkohë që dje viktimë e këtij sherri mbeti një punëtor i njërës prej firmave. Nga policia është ngritur një grup hetimor, i cili po punon për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, identifikimin e autorit dhe shkaqet që çuan në përdorimin e armëve. Mendohet se shkaku i konfliktit janë mosmarrëveshjet e kahershme mes personit që ka plagosur punëtorin me firmën, e cila dispononte licencë për shfrytëzimin e kësaj galerie. h.p