E Diel, 1 Nëntor 2026

Trupi i pajetë i të riut trondit qytetin. Viktima, i sapokthyer nga Italia. Autori e ndoqi në këmbë Ekzekutohet për hasmëri 19-vjeçari Mario Curri vritet në mes të Durrësit, 6 muaj pas të atit

Durrësi tronditet në mes të ditës nga një vrasje mafioze. Viktimë e goditjes me dy plumba pistolete ka mbetur 19-vjeçari Mario Curri, shtetas shqiptar, i lindur në qytetin e Ariano-Irpinos në Itali.

I riu kishte pak ditë që ishte kthyer me pushime nga Italia, kur është vënë në shënjestër të atentatorit. Ky i fundit e ka ruajtur Currin, teksa ai po ecte i vetëm në rrugën që të çon nga stacioni i trenit, tek “Muzeu i Dëshmorëve”. Ngjarja ndodhi në orën 14 e 26 minuta në sheshin “Pranvera”, vend parkimi ky i shumë autobusëve, furgonëve dhe taksive, por njëkohësisht edhe zonë shumë e rrahur nga këmbësorët. Policia tha se atentatori, akoma i paidentifikuar ka vepruar i vetëm. Sipas hetuesve, vrasja ka qenë e planifikuar dhe atentatori e njihte mirë trafikun e Durrësit në këto ditë vere, ndaj ka vepruar pa automjet, duke u zhdukur mes turmës me vrap. Dyshohet se disa qindra metra larg vendit të atentatit, vrasësi mund të jetë larguar me ndonjë mjet motorik. Sipas dëshmitarëve, atentatori është afruar në këmbë nga një distancë fare e afërt, duke e qëlluar befasisht 19-vjeçarin me dy plumba në kokë. Menjëherë pas shkrepjes së armës, ai së bashku me pistoletën e krimit është zhdukur në këmbë. Dyshohet se shtetasi Mario Curri është vrarë për hakmarrje. Në janar të këtij viti në Durrës, në një lokal bastesh, është vrarë edhe babai i viktimës së djeshme, Luan Curri, ngjarje kjo akoma e pazbardhur nga hetuesit. Vrasja ndodhi në sy të shumë kalimtarëve të rastit. Policia është duke mbledhur informacion nga dëshmitarët okularë, me qëllim zbulimin e atentatorit dhe vënien e tij në dispozicion të drejtësisë. Sipas policisë, Mario Curri nuk kishte asnjë precedent të mëparshëm penal. Ky fakt duket se po i orienton hetuesit drejt një piste hakmarrjeje. Policia shkencore ka arritur të mbledhë në terren dy gëzhoja pistolete të kalibrit të “TT”-së, nga ekzaminimi i të cilave mund të zbulohen gjurmë me vlerë për hetimin. Sipas policisë, atentatori ka qenë një person i pamaskuar, i cili duke mbajtur kokën të ulur është futur pa u dalluar në turmën mes kalimtarëve. Sipas dëshmitarëve, atentatori është me moshë jo më të madhe se 25-30 vjeç. Policia konfirmoi se për zbardhjen e ngjarjes po hetohet intensivisht në disa pista. Ndërkohë, ajo ka ndërtuar një identikit paraprak të atentatorit, duke u bazuar në përshkrimet e dëshmitarëve. Patrulla të shumta policie janë ngritur në rrugët kyçe të qytetit. Lidhur me zbardhjen e kësaj ngjarje janë angazhuar specialistë të hetimit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës-Krujë. Vrasja e Mario Currit shënon viktimën e tretë brenda 6 muajsh në këtë familje. Më 27 janar të këtij viti u ekzekutua me breshëri automatiku Luan Curri, 46 vjeç, i ati i viktimës së djeshme dhe nipi i tij, Andi Curri, 19 vjeç.
Krimi i djeshëm tronditi banorët e Durrësit, të cilët deri në kryerjen e veprimeve të policisë, panë në mes të rrugës, mbuluar nga gjaku trupin e Mario Currit, viktimë e pafajshme e një historie që ende nuk është zbardhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›