E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, alarm në traget



SARANDE – Tjetër incident me tragetin e pasagjerëve. Pas ngjarjes së ndodhur me tragetin e linjës Brindizi-Vlorë, ai i linjës Korfuz–Sarandë ka pësuar defekt, 15 minuta para mbërritjes në portin e Sarandës. Sipas burimeve, defekti ka ardhur nga papastërtitë në oxhakun e anijes, pikërisht në bashin e saj. Marmita e anijes, e cila shërben për nxjerrjen e gazrave nga motori i anijes, ka nisur të nxjerrë tym, që është shpjeguar nga papastërtitë e krijuara këtu. Menjëherë ekuipazhi është vënë në lëvizje dhe brenda 10 minutave gjithçka është vënë në normalitet. 45 pasagjerët që ndodheshin në bord, 12 prej të cilëve fëmijë, që të gjithë shqiptarë, emigrantë, që vinin në vendlindje për pushime, filluan të frikësoheshin dhe madje edhe të telefononin tek të afërmit e tyre për atë që po ndodhte. Normaliteti në anije është vënë pas dhjetë minutave. Në orën 19.25 trageti mbërriti në portin e Sarandës, 10 minuta më vonë nga koha normale, ndërsa është nisur përsëri në orën 20.00 në linjën Sarandë - Korfuz. sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›