Vrasja e emigrantit në Itali, kapet shqiptari
ITALI - Polica e Napolit në Itali ka arrestuar një 21- vjeçar shqiptar, të dyshuar si autorin e vrasjes së një tjetër shqiptari pak ditë më parë. Në pranga kanë përfunduar edhe tre shqiptarë të tjerë, me të cilët po shoqërohej viktima. Ndërkohë, hetuesit italianë kanë mundur të zbardhin edhe dinamikën e ngjarjes. Burime mediatike të vendit fqinj bënin të ditur dje arrestimin e A.Stralajt, me kombësi shqiptare. Arrestimi i tij është ndërmarrë nga autoritet policore italiane, pas dyshimeve se ai mund të jetë autori i vrasjes së Rrahman Sulës, 23-vjeç, pasditen e 4 gushtit, në një nga baret e Kavianos, zonë në veri të Napolit. Sipas mediave të vendit fqinj, të cilat i referoheshin burimeve policore, autoritetet janë në dijeni të rrjedhjes së ngjarjes ku mbeti i vrarë 23 vjeçari Sula. Pas ngjarjes, policia ka administruar pamjet filmike të marra nga kamerat e sigurisë së barit, brenda të cilit ndodhi ngjarja. Referuar pamjeve, viktima Sula, së bashku me tre shqiptarët e tjerë, të ndaluar tashmë, Shlezen Sh., Gentian F. dhe Shlezen K. kanë sulmuar të dyshuarin Stralaj. Ky i fundit në tentativa mbrojtjeje ka qëlluar me një armë të kalibrit 7.6 mm drejt tyre. Plumbat kanë qëlluar Sulën, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas burimeve, Stralaj ka qëlluar edhe në drejtim të tre personave të tjerë, të cilët kanë mundur të largohen të palënduar. Pas analizimit të pamjeve, autoritetet kanë mundur të identifikojnë protagonistët e ngjarjes dhe të gjejnë vendodhjen e 21- vjeçarit Stralaj.