Bulqizë, kromi përplas dy firmat
BULQIZE/ HASAN PASHA
Përplasja mes dy firmave mbi shfrytëzimin e një galerie kromi në Bulqizë është shmangur nga ndërhyrja e policisë. Një prej firmave ka tentuar të bllokojë hyrjen e galerisë, për të cilën është licencuar “Egi K”, brenda së cilës ndodheshin minatorë. Por, tentativa e “Vajkali 2007” ka dështuar dhe ndaj përfaqësuesve të firmës ka nisur procedimi penal. Rreth orës 10:00 të ditës së djeshme, pronari i firmës minerare “Egi K” ka lajmëruar policinë lokale se 6 punëtorë të firmës së tij janë izoluar në një galeri minerare në zonën D. Pronari E.Keta u ka pohuar efektivave të policisë rreth orës 09:00 se minatorët Rexhep Gjurra, Bashkim Muça, Behar Lika, Fadil Capa, Shaqir Skënderi e Gazmend Tuci janë në rrezik për jetën. Sipas tij, përfaqësues të firmës Vajkali 2007 kanë bllokuar me anë të një fadrome hyrjen kryesore të galerisë, duke vendosur aty sasi të mëdha inertesh. Kjo, sipas Ketës, është bërë për arsye konkurrence nga një subjekt i palicencuar. Ankesa e drejtuesit ligjor të firmës “Egi K” është vlerësuar maksimalisht nga ana e policisë së Bulqizës. Punonjës të saj kanë mbërritur shpejt në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se në hyrje të galerisë nuk ishin hedhur gurë e inerte të tjera, për të penguar lëvizjen normale të vagonëve me krom që minatorët e “Egi-it” do të nxirrnin nga nëntoka. “Nuk ka pasur punonjës të marrë peng në galeri”, janë shprehur dje për “Panorama” drejtues të Policisë së Qarkut Dibër. Ata kanë zbardhur se në orët e para të mëngjesit, në afërsi të galerisë së firmës “Egi K” ka pasur një debat mes përfaqësuesve të kësaj firme dhe konkurrentit të saj, “Vajkali 2007”. Të dyja subjektet kanë pretendime në lidhje me pronësinë e galerisë, ndërkohë që e para ka marrë licencën. Sherri me fjalë i ka lënë vendin veprimeve konkrete. Një mjet i “Vajkali 2007” ka tentuar të bllokojë hyrjen e galerisë me gurë, krom e dhe’, mirëpo pa nisur ende nga puna është informuar policia e Bulqizës. Sapo drejtuesi ligjor i “Egi K” ka vënë në dijeni shefin e Komisariatit të Policisë, Mirash Loci ai ka dërguar në vendin e ngjarjes oficerë të policisë gjyqësore, grupin e gatshëm dhe efektive të policisë së rendit. “Kemi parandaluar në kohë gjithçka,- thanë burimet policore. - Nuk ka pasur asnjë veprim konkret nga Vajkali 2007, por kemi nisur hetimet për këtë rast”. Ndërkohë të tjera përplasje mes subjekteve të kromit janë evidente në zonën mineralmbajtëse të Bulqizës. Subjektet e palicencuara vazhdojnë të konkurrojnë me të gjitha mënyrat subjektet e licencuara.