Ligj sezonal, kosto universale
Skënder Minxhozi
A e keni parasysh atë shiun e verës, që pushon para se të fillojë dhe që të lag vetëm njërën anë të fytyrës, por jo tjetrën?! Ky mund të jetë njëri ndër krahasimet e mundshme për ligjin e sapomiratuar në Kuvend për lustrimin. Me urgjencën me të cilin u kalua, me imponimin e verbër me të cilin u servir, por mbi të gjitha me pamundësinë absolute ligjore e institucionale për të gjetur një zbatim në të gjithë komponentët e tij, ky ligj e ka mbyllur historinë e tij ende pa filluar. Nëse shihen afatet e ngritjes së komisionit të shqyrtimit të figurave, përbërja e tij dhe procedurat e përjashtimit dhe të reklamimit, mund të kuptosh sesa pikëpyetje dhe të panjohura mban vetë teksti i ligjit dhe se cilat do të jenë afatet e tij reale kohore. Nëse i hyn pastaj shkeljeve kushtetuese që përmban ligji për dosjet (njëra mbi të gjitha, ajo e dominimit të një ligji të thjeshtë, mbi paketën kushtetuese), të cilat ia bëjnë të pamundur avancimin e mëtejshëm në rrugën drejt botimit në Fletoren Zyrtare – atëherë kupton se nuk ndodhemi përballë një nisme ligjore serioze, por përballë një provokacioni sezonal që ka motive dhe shtysa krejt të tjera nga ato të pastrimit të shoqërisë shqiptare 18 vjet pas rënies së komunizmit!
Presidenti dhe Gjykata Kushtetuese, të gjitha palët që sot e tutje do të bien në kontakt me këtë ligj, për të dhënë një mendim apo një vendim, do të kenë thjesht të pamundur të gëlltisin shkeljen e hapur të Kushtetutës që predikon ligji. Presidenti Topi shpejtoi ta ndajë me kujdes opinionin e tij personal për procesin e hapjes së dosjeve, nga akti ligjor që pretendon ta bëjë një gjë të tillë. Qëndrimi ndaj ligjit imponohet nga vetë ligji, me mënyrën e shtrembër dhe defektoze me të cilën është ngritur, pa folur për më kryesoren, për llogaritë e fshehta që synon të realizojë nën petkun e rrejshëm të largimit nga ngrehina e shtetit njerëzve të ligj të komunizmit.
Këtë frymë të rrezikshme spastrimi e shantazhi, sidomos mbi drejtësinë, e lexoi shpejt dhe saktë bashkësia ndërkombëtare, e cila si rrallë herë në vitet e fundit, ushtroi një presion të dukshëm mbi maxhorancën, për ta penguar këtë fundit në marrëzinë juridike (dhe jo vetëm) ku po hynte.
Berisha vuri edhe një herë përpara shprehjen “jemi vend sovran” dhe i shkoi deri në fund projektit të tij. I auto-sugjestionuar nga tonet patetike plot anti-komunizëm dhe fantazma të një kohe që tashmë ka ikur, Berisha vendosi se ia vlen më mirë një ligj që s’ka asnjë shans për t’u zbatuar, sesa një paqe politike, diplomatike e sociale. Dhe kur peshorja e gjërave anon normalisht nga këto elemente të fundit, shumëkush ka përsëritur këto orë me vete dhe të tjerët të njëjtën pyetje: për çfarë qëllimi harxhohet gjithë kjo energji negative, kujt i duhet ky ligj sezonal lesharapi? Pse kjo traumë e rëndë në marrëdhëniet me ndërkombëtarët, pa llogaritur klimën politike në Parlament dhe përreth tij, apo edhe impaktin që ka pasur kjo retorikë e etshme në ambientin shoqëror shqiptar? Mesa duket përgjigjet nuk janë të shumta. Në fakt duket se ka vetëm një të tillë. Më shumë sesa të gjitha këto arsye të vogla dhe të mëdha të marra së bashku, në mendjen e Sali Berishës mesa duket ka rëndësi një skemë e thjeshtë, shumë e efektshme sipas tij. Ky ligj vërtet s’do ta pastrojë Parlamentin dhe politikën nga pseudonimet e përfolura dhe ato të vërteta, vërtetë s’do të sjellë asgjë të mirë në marrëdhëniet me partnerët tanë, vërtet do t’i lerë të gjithë të pakënaqur, edhe të persekutuarit, edhe ata që s’janë të tillë, por ama do të trembë për vdekje Zamir Shtyllën me shokë. Ky ligj është ndërtuar tani dhe në këtë mënyrë, vetëm për këtë arsye, për të sugjestionuar ata që do të marrin në dorë dosjet e nxehta të qeverisë, skandalet e saj të materializuara në akuza konkrete, me emra, shifra dhe shkresa plot vula e koka zyrtare. Ligji i dosjeve nuk është për dosjet e vjetra, për ato ku komshiu spiunonte komshiun apo burri gruan. Ligji i dosjeve është për dosjet e reja, për ato dosje ku milionat e rrugës Rrëshen-Kalimash ngatërrohen me pronat e Fazlliçit dhe predhat e Gërdecit. Për këto dosje, jo për ato të parat, ia vlen të sherrosesh me ambasadorin amerikan dhe t’i thuash jo të gjitha organizmave me sigla të ngatërruara që kanë ftuar këto ditë për më shumë vetëpërmbajtje dhe vetëfrenim. Për këto dosje ia vlen të prodhosh një krijesë që ka lindur e vdekur, por që pasojat mund t’i ketë mjaft të rënda, sidomos për një vend që pretendon të jetë tashmë në derën e NATO-s dhe diku brenda oborrit të BE-së. A ia ka vlejtur e gjitha kjo? Koha do ta tregojë shumë shpejt...