E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë-Elbasan, ngricat shkaktojnë 4 aksidente në Qafë-Kërrabë

 

ELBASAN – Temperaturat e ulëta krijojnë ngrica në rrugën nacionale Elbasan-Tiranë. Për pasojë, drejtuesit e mjeteve kanë pasur vështirësi të shumta në qarkullim, pasi rrezikojnë jetën në këtë aks. Sipas burimeve të policisë, gjatë dy ditëve të kaluara u regjistruan 4 aksidente, kryesisht në afërsi të kilometrit 25, fatmirësisht pa pasoja për jetën. Katër makina janë shkatërruar thuajse plotësisht, ndërsa shpëtuan pasagjerët. Aksidenti i parë ndodh mëngjesin e së hënës, kur automjeti me targa të Tiranës tip “Benz” i drejtuar nga Idush Maliqi, me profesion gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit, doli nga rruga duke përfunduar disa metra në greminë. Drejtuesja mësohet se ka pësuar lëndime të lehta, që nuk i rrezikojnë jetën. Ndërsa tre aksidentet e tjera vetëm kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Nga burime të policisë pohohet se aksidentet kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur mbi asfaltin e rrugës janë krijuar shtresa të rrëshqitshme. Ky faktor, si dhe mungesa e vëmendjes së drejtuesve përballë kësaj gjendjeje, ka provokuar rrëshqitjet. Patrulla të shuma të policisë rrugore janë vendosur në këtë aks, i cili është ndër më të rrezikshmit e qarkut të Elbasanit, sidomos në periudhën e reshjeve. a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›