Bulqizë, mbërrin me helikopter presidentja e ACR-së

Minatorët e Bulqizës janë edhe sot në pritje të një marrëveshje me firmën ACR ndërkohë që në Bulqizë ka mbërritur me helikopter edhe presidentja e kompanisë Rohtraut Skatche-Depich.
Presidentja e ACR-së pritet të takohet me minatorët një ditë pas përplasjes së tyre me policinë, teksa pengonin një kamion me materiale të futej në brendësi të minierës.
Minatorët janë shprehur se nuk do të lejojnë fillimin e punës në minierë pa u arritur më parë një marrëveshje me kompaninë në lidhje me kërkesat e tyre.
Ndërkohë ditën e djeshme kompania “ACR” i bëri thirrje të gjithë punonjësve t`i bashkohen grupit, që ka filluar punën për kthimin në normalitet të minierës së Bulqizës.
Kompania më herët i ka dërguar minatorëve edhe një marrëveshje të nënshkruar nga administatori i saj Giga Bedieshvili në të cilën thuhej se janë plotësuar disa nga kërkesat e tyre, si rritja e pagës me 20 përqind, përmirësimi i kushteve të punës si dhe investimet në minierë por kjo marrëveshje nuk u pranua nga minatorët.
Ndërkohë ditën e djeshme minatorët e Bulqizës deklaruan se do të presin edhe dy ditë për një marrëveshje me kompaninë ACR dhe nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë ata do të hyjnë sërish në grevë urie ndërsa protestat do të përshkallëzohen deri në bllokimin e rrugëve.