E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do të shes trupin për të fituar 3 mijë lekë përkrahje sociale

26/08/2011  Mirash Zefi: Kërkojmë ndihmë për të shpëtuar jetën e jetimes 33-vjeçare

Korçë- “Do të shes trupin për të siguruar shpenzimet e gjyqit, sepse më duhet të fitoj të drejtën për të fituar 3,000 lekë përkrahje sociale, gjë që ma kanë mohuar për 3 vjet me radhë, pasi në të kundërt do të më gjejnë të pajetë në një nga dhomat e konviktit të një shkolle ku jam strehuar. Sigurisht që do të ndodhë kështu për shkak të pamundësisë për t’u ushqyer. Shpesh herë më ndodh që për ditë të tëra të mos kem asnjë gram buke, të ndihem e pashpresë dhe në agoninë e përpjekjeve për të mbijetuar. Për ne jetimët edhe vdekja është një tragjedi e frikshme, sepse nuk kemi njerëz të afërt që të shpenzojnë për varrimin. Për ceremoninë mortore duhet të merret një vendim nga Këshilli i Bashkisë dhe vetëm pas kësaj trupi ynë mund të mos mbetet i pakallur në varr. Aktualisht gjendem në ditët e mia më të vështira dhe të pashpresa. Për këtë arsye kam marrë vendimin që të shes trupin, me qëllim që të fitoj rreth 3,000 lekë përkrahje sociale. Kam vendosur të sakrifikoj shpirtin tim, sepse më duhet të bëj gjithçka për të jetuar. Jeta ime është dhuratë e Zotit dhe jo e disa njerëzve që rasti u ka dhënë të kenë nga një karrige”. Kjo është deklarata e dhimbshme e një vajze të re, jetime, banuese në qytetin e Korçës. Rebelimin dëshpërues të 33-vjeçares Anila Barmashi, e bëri të njohur për gazetën “Metropol”, Kryetari i Shoqatës së Jetimëve, dega Korçë, Mirash Zefi, sepse banorja jetime e qytetit të Korçës ndodhet në gjendje stresi, e shikon me tmerr vendosjen e portretit të saj në faqet e një gazete, sepse pas publikimit të deklarimeve të saj, ajo mendon që jeta do t’i bëhet edhe më e vështirë. Për më shumë, se çfarë ndodh me jetën e 33-vjeçares dhe me jetimët në përgjithësi na rrëfen Kryetari i Shoqatës së Jetimëve, dega Korçë, Mirash Zefi.

Së pari, cilat janë arsyet që 33-vjeçarja nuk është e punësuar?

E vërteta është se përpjekjet e saj për të gjetur një vend pune kanë qenë të mëdha. Megjithatë, punësimi edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet një ëndërr e papërmbushur e saj. E vërteta është se nga ana e saj përpjekjet për të gjetur një vend pune nuk kanë munguar asnjëherë. Fillimisht ajo kreu një kurs kualifikimi pranë qendrës së formimit profesional në Korçë. Ditët më të lumtura të saj kanë qenë ditët kur shkonte në kurs për kualifikim profesional. “Me të filluar punë, na thoshte ajo, do të ndihmoj të gjitha shoqet e mia që më kanë mbajtur me bukë”. Ajo mendonte se pas punësimit do të gjente edhe një djalë, me të cilin do të krijonte një familje si gjithë të tjerët, por gjërat nuk shkuan asnjëherë siç i kishte menduar ajo. Pas përfundimit të kursit, nisi punë në një rrobaqepësi, por aty lindën dhe problemet. Anila Barmashi ka një vështrim të dobët, (nuk shikon mirë). Kjo gjë e bëri të pamundur vazhdimin e punës në rrobaqepësi. Punoi për shumë kohë atje, me shpresën se do t’ia dilte mbanë, por erdhi një ditë që i duhej të dorëzohej. Ajo nuk ishte e aftë që të përballonte atë vend pune. Iu desh të largohej prej andej.

Pas kësaj, përse nuk e fitoi të drejtën e përkrahjes sociale?

Sepse më fillimin e punës nuk deklaroi në bashki që kishte filluar punë. Për këtë arsye iu ndërpre përkrahja sociale dhe që nga ajo ditë ajo nuk merr asnjë lloj ndihme nga shteti. Tashmë ka tre vjet që ajo ka mbetur në mes të katër udhëve. Askush nuk mendon më për jetën e saj. Sigurisht që ajo bëri gabim që nuk deklaroi fillimin e punësimit, por në të vërtetë gjithkush e di që mjaft militantë partie “shpërblehen” me përkrahje sociale, ndërsa ajo vazhdon të mbetet e dënuar ashtu siç ndodhte në kohën e diktatorit Hoxha, kur ndëshkimi të ndiqte deri në varr. Por çfarë po ndodh në të vërtetë? Po shkatërrohet një jetë njeriu. Dhe e gjitha kjo tragjedi vetëm për 3,000 lekë. Nuk është hera e parë që ndodh kështu. Pavëmendja ndaj jetimeve të Korçës është ekstremale. Për shkak të moskujdesit të duhur nga qyteti i Korçës janë larguar 10 jetime dhe nuk kemi asnjë dijeni se ku ndodhen. Sigurisht që mund të kenë përfunduar edhe në viktima të prostitucionit. Për këto 10 vajza kemi kërkuar edhe ndihmën e emisioneve televizive, por deri më tani, për këto jetime, nuk ka pasur asnjë shenjë jete. Duket se të njëjtin fat do të ketë edhe 33-vjeçarja. Pamundësia për t’u përballur me jetën do ta detyrojë të ndërmarrë hapa anormalë. Që të fitojë të drejtën e përkrahjes sociale kësaj jetimeje do t’i duhet të shesë trupin që të sigurojë shpenzimet e gjyqit, sepse rrugë tjetër për të nuk ka mbetur.

A keni kërkuar ndihmën e institucioneve shtetërore?

Sigurisht që kemi bërë të gjitha përpjekjet. Një përgjigje pozitive morëm nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, të cilës ia bëmë të njohur situatën përmes një letre që i dërguam. Në përgjigjen që morëm thuhej që rasti në fjalë të shihej me përparësi nga Drejtoria e Shërbimit Social Shtetëror, por deri më sot gjithçka ka mbetur njëlloj ashtu si edhe më parë. E vërteta është se jetimët përballen vazhdimisht me probleme të shumta. Vetëm pak kohë më parë na vdiq njëra prej anëtarëve të shoqatës. Ishte 55 vjeç. Kërkuam që dhoma e saj t’i jepej një jetimi tjetër, por nuk ndodhi kështu. Atë banesë e mori dikush tjetër. Kjo gjë nuk duhej të kishte ndodhur. 15 prej jetimëve janë të pastrehë, ata do të mbeten të tillë për aq kohë se nuk do të ndihmohen nga shoqëria dhe shteti.

Mendoni se do t’ia dilni mbanë për të ndihmuar 33-vjeçaren për të mos u gjendur në depresion?

Nuk di të them ndonjë gjë të sigurt. Përvoja që kam si njeriu në krye të kësaj shoqate më thotë se hallet tona nuk do të përfundojnë kurrë. Mjaft prej vajzave kanë sjellë në jetë fëmijë që kanë qenë fryt i lidhjeve jashtëmartesore. Jetimet po lindin jetimë dhe po përpiqen të rritin jetimë. Tragjedia duket sikur nuk do të ketë fund. Kjo është mjaft e trishtueshme. Në shoqatën tonë kemi 7 raste të tilla, ndërsa 3 fëmijë janë dorëzuar në shtëpinë e foshnjave “Lulet e vogla” në Korçë. Rasti më i fundit, i 33-vjeçares po tregon se si mund të shkatërrohet jeta e një njeriu dhe e gjitha kjo vetëm për 3 mijë lekë. Humanizmi duket se do të vonojë të shfaqet. Deri atëherë kjo jetime do të jetojë duke lypur nëpër rrugë. Megjithatë, përmes ndihmës së gazetës “Metropol”, mendojmë se dikush do të dëgjojë zërin tonë, sepse bëhet fjalë për dhimbje reale për jetën e një njeriu që tashmë gjendet mes jetës dhe vdekjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›