E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, minatorët në ditën e 26-të të grevës së urisë: Nuk e ndalim

BULQIZE- Në ditën e 26 të grevës së urisë, minatorët deklarojnë se nuk do ta ndalin derisa kompania koncensionare ACR të nënshkruajë me atë një marrëveshje zyrtare ku të pranohen qartë kërkesat e minatorëve.

Ndërkohë që 13 minatorët që ndodhen brenda në nivelin e 14-të të nëntokës prej ditës së djeshme mbajnë të bllokuar ashensorin në frikën se mos policia kërkon t'i nxjerrë me forcë.

“Sapo u dha lajmi se do i nxjerrin me dhunë grevistët kanë bllokuar ashensorin e nuk pranojnë të komunikojnë me asnjë. Nëse policia do tentojë të futet brenda me forcë ne do të përmbytemi brenda me gjithë minierën e Bulqizës. Jemi të vendosur të mos heqim dorë nga greva derisa firma ACR të plotësojë kërkesat tona.”- raportoi sot në mëngjes korrespondenti i NEWS24.

Sipas tij jo zyrtarisht është mësuar se përfaqësuesit e firmës ACR do të vijnë në një takim me minatorët në Bulqizë. Por minatorët thonë se nëse do të ndodhë në takim duhet të jenë të pranishëm konfederata sindikale dhe grupi i grevës, prej 6 personave të caktuar, por kompania ACR nuk pranon të zhvillojë takim me ta.

Gjykata e rrethit gjyqësor Dibër, me  kërkesë të Avokates së Shtetit, urdhëroi dje zbrazjen e galerive të zëna nga grevistët, të cilët,ndodhen të ngujuar në nivelin 14 të minierës së kromit të Bulqizës. Ne kerkesen e Avokaturës së Shtetit theksohej se ndërprerja e punës në minierë për shkak të grevës së urisë nëntokë ka krijuar rreziqe serioze për jetën dhe shëndetin e grevistëve. Gjithashtu, nga ndërprerja e punës në minierë, shtetit shqiptar po i shkaktohen dëme të pallogaritshme ekonomike dhe financiare.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›