E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohen ndryshimet për programet e doktoraturës

Vendimi përcakton se ndryshohet pika 1, sipas së cilës, "institucioni i arsimit të lartë, që aplikon për hapjen e programeve të studimeve të doktoratës, duhet të jetë universitet, akademi apo qendër ndëruniversitare dhe shkollë e lartë universitare që paralelisht aplikon për statusin e universitetit".
   
Ndërsa në pikën 2 bëhen ndryshime dhe shtesa, sipas të cilave, “dokumentin në të cilin përcaktohen fusha shkencore dhe emërtimi i programit të studimit të doktoratës, i cili duhet t’i referohet një fushe studimi, disipline ose mund të jetë ndërdisiplinare dhe të shoqërohet nga relacioni shpjegues përkatës për interesin që paraqet fusha”.

Po kështu, ndryshimet përcaktojnë se “marrëveshje të institucionit të arsimit të lartë, së paku me një universitet të një vendi të zhvilluar, që garanton programe të shkëmbimit të personelit akademik dhe të studentëve të doktoratës, si dhe realizim të projekteve kërkimore të përbashkëta. Për shkencat albanologjike bashkëpunimi mund të jetë edhe me një institucion të arsimit të lartë apo qendër kërkimore në Kosovë dhe në trojet shqiptare.
    
Vendimi përcakton se është Këshilli i Profesorëve që përzgjedh udhëheqësit shkencorë, të aftë për të drejtuar punën kërkimore të studentëve, mbështetur në vlerësimin e veprimtarive kërkimore botuese të tyre, brenda e jashtë vendit. Udhëheqësi shkencor i studentit është përgjegjës për drejtimin, këshillimin, vlerësimin e nevojave të studentit, si dhe për zhvillimin e monitorimin e përparimit të punës kërkimore të studentit.
    
Gjatë periudhës së studimeve të doktoratës, përpara paraqitjes në provimin e doktoratës, studenti duhet të ketë plotësuar disa kushte të përcaktuara në vendim, si të ketë realizuar si autor i parë, së paku, tri referime ose paraqitje (poster) shkencore, të ketë botuar, si autor i parë, së paku tre artikuj shkencorë në revista shkencore, të ketë përgatitur dhe paraqitur në Këshillin e Profesorëve të fakultetit disertacionin, së bashku me një përmbledhje, të miratuara nga udhëheqësi shkencor, si dhe të ketë dhënë provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.”. Juria përbëhet nga 5 veta, ku të paktën tre prej të cilëve duhet të kenë titullin “Profesor”.
    
Ndërkohë, sipas vendimit, grada shkencore “Doktor” është e revokueshme në çdo kohë dhe për çdo rast, që konstatohet plagjiaturë ose manipulim të dhënash në punimet e kandidatit. Ndryshimet e miratuara me këtë vendim zbatohen për të gjithë studentët që fillojnë studimet e doktoratës në vitin akademik 2011 – 2012, ndërsa studentët, që i kanë filluar ato para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, i përfundojnë ato sipas kritereve dhe procedurave që kanë qenë në fuqi para hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
    
Ndërsa të gjitha institucionet e arsimit të lartë, që ofrojnë programe të studimeve të doktoratës, duhet të përshtatin brenda 2 muajsh këto programe studimi, sipas kërkesave të parashikuara në këtë vendim dhe në standardet shtetërore të cilësisë. /Start/

                                                                                             2011-08-19 08:25
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›