E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, minatorët në ditën e 3-të të protestës: Shteti të ndërhyjë

BULQIZE - Përshkallëzohet protesta e 700 minatorëve të minierës së kromit në Bulqizë. Edhe sot, ata u mblodhën sërish në ambientet e kompanisë koncesionare austriake ACR, duke këmbëngulur në plotësimin e kërkesave të tyre. Në ditën e tretë të protestës, minatorët e Bulqizës, gjatë tubimit në fillim në qendër të Bulqizës dhe më pas pranë ambienteve të ACR, kërkuan dhe sot plotësimin e kushteve të punës dhe kushtet për pensionin.

Presidenti i Konfederatës së Minatorëve, Kol Nikolli u shpreh se firma austriake nuk është serioze në punën e saj në minierë. Nikolli theksoi se firma nuk ka investuar një lek në minierë, por gjatë gjithë kësaj kohe ka shitur e blerë aksione dhe ka kryer rolin e tregtarit. Ai i bëri thirrje shtetit të rishikojë me urgjencë këtë cështje dhe të marrë masa menjëherë. Nikolli theksoi se shteti e ka në dorë të detyrojë firmën të investojë në minierën që sipas tyre nuk plotëson kushtet për të punuar ose në të kundërt, tha Nikolli, firma të largohet nga miniera.

Minatorët shprehen se në rast se shteti nuk reagon ndaj kërkesave të tyre, atëhere ata do të hidhen në grevë urie.

Edhe sot në ditën e tretë të protestës minatorët kanë kërkuar rritjen e pagave, heqjen e taksës së dyfishtë, përmirësimin e kushteve në punë, largimin e subjekteve të tjera të palicencuara nga territori i kësaj kompanie, si dhe uljen e moshës së pensionit.

Ndërkohë, pjesëmarrësit në protestë kanë caktuar një afat 2-ditor për përmbushjen e kërkesave të tyre. Në rast të kundërt, minatorët do të hyjnë në grevë urie.
Gjatë protestës së tyre, minatorët kanë kërkuar të mos marrin pjesë politikanët, qofshin këta të djathtë apo të majtë. Dy ditë më parë, kreu i Sindikatës së Minatorëve, Taf Koleci deklaroi se minatorët u janë drejtuar me një letër përfaqësuesve të firmës ACR, prej së cilës kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre. Në lidhje me këtë situatë është kërkuar ndërhyrja e qeverisë, si dhe është tentuar të bëhen edhe negociata me firmën koncensionare ACR, por nuk ka pasur asnjë përgjigje nga ana e tyre.
Ndërkaq, ende nuk ka ndonjë reagim nga drejtuesit e kompanisë së huaj ndaj kërkesave të minatorëve, të cilat u janë bërë me dije kohë më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›