E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, minatorët në pritje të marrëveshjes: Nesër afati i fundit

BULQIZË- Ka kaluar pa asnjë marrëveshje mes palëve edhe dita e sotme në minierën e Bulqizës.

Ashtu si edhe dy ditët e shkuara minatorët i janë drejtuar që në orët e para të mëngjesit të sotëm ambienteve të ACR-së për të zhvilluar protestën e tyre.

Ata kanë qenë të shoqëruar nga kreu i Sindikatës së Minatorëve Taf Koleci, ndërkohë që kreu i Konfederatës së Sindikatave Kol Nikollaj mësohet se ka zhvilluar një takim në ministrinë e Punës, detajet e të cilit nuk janë dhënë.

Minatorët kanë qëndruar sot deri në orën 15:00 në ambientet e ACR duke pritur një reagim nga kompania, administratori i së cilës u kthye një ditë më parë në Austri.

Ndërkaq minatorët kanë deklaruar se do të presin deri në orën 14:00 të ditës së nesërme për një marrëveshje ku të pranohen kërkesat e tyre dhe nëse kjo nuk do të ndodhë atëherë do të rinisë greva e urisë.

Ata mbeten të vendosur në kërkesat e tyre për investim në minierën e Bulqizës, rritje të pagës në nivelin 20-40%, si dhe përmirësim të kushteve të punës.
(e.m/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›