E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, minatorët vijojnë ditën e 23-të të grevës së urisë

Minatorët kanë vijuar sot ditën e 23-të të grevës së urisë ndërsa ende nuk është arritur një marrëveshje mes palëve për zgjidhjen e situatës në Bulqizë. Ndërsa gjendja e tyre shëndetësore përkeqësohet nga dita në ditë ata shprehen të vendosur për të vijuar grevën e urisë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Gjatë ditës së sotme, mësohet se në mbështetje të 14 grevistëve të mbetur në galeri kanë mbërritur në Bulqizës edhe 50 minatorë të tjerë nga Puka dhe Mirdita. Ata janë bashkuar me minatorët e tjerë dhe familjarët e grevistëve, të cilët vijojnë të mbështesin 14 grevistët të cilët ndodhen në nivelin e 14-të të minierës së Bulqizës.
Ndërkohë një ditë më parë dhjetë minatorë të Bulqizës kanë dalë nga greva e urisë, ndërsa ata janë zëvendësuar menjëherë nga 10 të tjerë. Grevistët që kanë lënë grevën e urisë janë dërguar me urgjencë drejt një klinike private në kryeqytet, pasi kanë paraqitur shenja tepër të komplikuara shëndetësore, e sidomos probleme me shikimin. Ndërkohë, 4 grevistë të tjerë, pavarësisht se ndodhen në gjendje mjaft të rënduar shëndetësore, nuk kanë pranuar të braktisin grevën e urisë. Mësohet se minatorët janë bindur nga mjekët dhe psikologët që të lënë grevën e urisë pasi gjendja e tyre shëndetësore paraqitej mjaft e rëndë, madje mund të rrezikonte seriozisht jetën e tyre. Nga ana tjetër sipas kreut të konfederatës së sindikatave Kol Nikolla mësohet se greva do të vijojë derisa kompania koncesionare ACR të ulet në tyrezë në mënyrë institucionale me qëllim që të arrihet një marrëveshje, e ndërsa minatorët t`i kthehen sërish punës. Ndërkohë minatorët kërkojnë rritje page 20-40%, kushte më të mira pune si largimin nga detyra të drejtorit të minierës.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›