Dëshmia: “Më pshtyu në fytyrë, e vrava bashkë me të birin”
LEZHË – Konflikti mes dy familjeve Matrizi dhe Ndreca në Lezhë kishte nisur rreth 7 vjet më parë dhe vetëm dje përfundoi tragjikisht me vrasjen e dyfisht. Motivi i vrasjes së Mrika dhe Nikolin Matrizit nga Pashk Ndreca, duket se ka qenë thjeshtë nxitje. Pas dëshmisë së dhënë në komisariatin e Lezhës nga autori i vrasjes, burimet policore kanë bërë të ditur rrethanat që sollën krimin e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në fshatin Gur i Zi, rreth 6 kilometra larg Lezhës. Sipas burimeve në grupin hetimor, Pashk Ndreca, i ndodhur i vetëm në banesën e tij, është përballur me dhunën verbale, fyerjet dhe pështymën që i ka lëshuar mbi fytyrë Mrika Matrizi, bashkëshorti i së cilës ishte dënuar me 18 vjet burg për vrasjen e kushëririt të tij. I frikësuar nga kërcënimet e shumta dhe prania e 20-vjeçarit Matrizi, Pashku ka menduar se do ta vrasin dhe iu është përgjigjur, duke lëshuar një karikatore me fishekë në trupin e Mrikës dhe djalit të saj. Më pas ka tentuar të largohet, por ai është ndodhur i rrethuar nga policia 30 minuta pas ngjarjes. Vetëm pasi është marrë në pyetje nga policia në komisariatin e Lezhës, Pashkë Ndreca ka pranuar krimin.
Pak fjalë në dy familjet
Heshtja kishte pllakosur banorët e dy familjeve gjatë ditës së djeshme, ku Maztrizët po bëhen gati për të varrosur sot dy prej pjesëtarëve të tyre, ndërsa banesa e Pashk Ndrecës ruhej vetëm nga vajza e tij, me bashkëshortin, dhe prania e disa forcave të policisë. Njëra nga vajzat e Mrika Matrizit, thotë se “vrasja nuk ka ndodhur për një dele, pasi delen e kishte ngrënë ujku në mal”. Sipas saj, “ka pasur tjetër motiv”, ndërsa nuk ka pranuar të flasë më gjatë. Më të rezervuar kanë qenë burrat e familjes Matrizi, të cilët, edhe pse nuk kanë pranuar të komentojnë gjatë vrasjen, ata janë shprehur se “me familjen e Pashk Ndrecës kemi kaluar historikisht shumë mirë, kemi pasur hyrje-dalje familjare”. “Nuk ka mundësi që Pashku të vrasë dy njerëz për një bagëti. Nuk është e logjikshme”, - thotë njëri prej tyre. Madje ai thotë se zakoni e do që burri nuk qëllon mbi gratë. Ai thotë se “shteti duhet të zbardhë të vërtetën e ngjarjes dhe duhet të dënohet autori i krimit”.
Rreth 500 metra më poshtë shtëpisë së viktimave, ndanë një faqe mali, ndodhet edhe shtëpia e Pashk Ndrecës. Madje, për të shkuar tek familja e viktimave, duket të kalosh patjetër në bahçen e shtëpisë së Pashk Ndrecës. Në banesën 2-katëshe të tij, dje kishte shkuar e motra, së bashkë me bashkëshortin e saj, për të ruajtur banesën. Të gjithë pjesëtarët e tjerë ishin zhdukur nga frika e gjakmarrjes. Kjo dukej edhe nga prania e forcave të policisë, të cilët ruajnë gjatë gjithë kohës banesën e autorit të vrasjes.
Dëshmia e autorit të vrasjes
Burime zyrtare të policisë së Lezhës shprehen se në banesën ku ndodhi krimi ka qenë vetëm Pashku, pasi fëmijët dhe bashkëshorten i kishte në shtëpinë e re në afërsi të varrezave të qytetit të Lezhës, të cilën e kishte blerë prej disa kohësh. Shtëpinë e vjetër pranë malit e mbante për të mbajtur bagëtinë. Mbrëmjen e së mërkurës, Pashku, sapo ai ka futur bagëtitë në stallë, ka hapur portën ku është përballur me bashkëfshatarët e tij Mrika dhe Nikolin Matrizi. Sipas policisë, Pashku ka dalë në oborrin e shtëpisë dhe nënë birë kanë filluar të debatojnë me të. Sipas të arrestuarit, Mrika e ka akuzuar Pashku se ai e kishte ofenduar, duke i thënë se ishte “shtriga e katundit”, “ngatërrestare”, etj, akuza që Pashku i kishte mohuar. Mrika bashkë me djalin e saj e kanë kërcënuar se do ta vrisnin për fjalët që kishte folur. Sipas tij, “ka qenë Mrika Matrizi, e cila e ka pështyrë atë disa herë, në prani të djalit të saj Nikolinit. Duket se kjo nuk është kapërdirë prej Pashk Ndrecës i cili, duke patur edhe frikën e të qenurit vetëm, ka hyrë në banesë, ka marrë një automatik kallshnikov dhe ka qëlluar mbi Mrika dhe Nikolin Matrizin, të cilët ndodheshin në oborrin e banesës së tij. Nga të shtënat me breshëri automatike, kanë mbetur të vdekur në vend nënë e bir.
Arrestimi i autorit të krimit të dyfishtë
Më pas, Pashk Ndreca ka marrë armën e krimit dhe është larguar në vargmalet e Lezhës, për t’i shpëtuar prangosjes. Sapo uniformat blu të policisë kanë dëgjuar të shtënat me armë, janë nisur menjëherë në drejtimin nga vinte zhurma. Kjo i ka dhënë mundësi policisë që shumë shpejtë të mbërrijë në vendin e ngjarjes dhe ka mësuar në kohë rekord emrin e autorit të krimit dhe drejtimin e lëvizjes. Ka qenë shefi i komisariat i cili ka drejtuar operacionin. Forcat e rendit kanë bërë të mundur bllokimin e të gjithë hyrje-daljeve të fshatit, duke mos lënë asnjë mundësi largimi për 46 vjeçarin. Ndërsa në qafë të malit, në fshatin Guri i Zi, policia ka dalluar Pashkun i cili po arratisej. Për të shmangur ndonjë përplasje me armë, policia i ka bërë thirrje Pashk Ndrecës që të dorëzohej, pasi ishte i rrethuar nga forcat e policisë. I ndodhur në “qark”, Ndreca ka hedhur armën dhe është dorëzuar mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 22.00. Sipas policisë, fillimisht Pashk Ndreca nuk ka dashur të pranojë autorësinë e krimit të dyfishtë, duke u shprehur se kishte vajtur në mal për të gjetur bagëtitë dhe se ai e dinte se ka ndodhur ndonjë vrasje. Por, pasi disa minutash pyetjesh intensive nga ekspertët e krimeve, ai ka pranuar akuzën dhe ka treguar rrethanat e ngjarjes, duke u shprehur i penduar për krimin.
18 Korrik 2008