Vazhdojnë me intensitet masat e Policisë për sezonin veror 2008.
Tiranë – Policia kryeqytetase merr masa për sezonin turistik veror 2008. Sipas burimeve, uniformat blu do të sigurojnë për publikun më shumë rend dhe qetësi. Të gjitha masat që do të merren synojnë të krijojnë kushte normale pushimi për shtetasit shqiptare dhe turistët e huaj, të cilët po frekuentojnë bregdetin e Golemit, Spillesë dhe të Kavajës. Më konkretisht policia do të realizojë; parandalimin e veprimtarisë kriminale, rritjen e sigurisë në vendet e pushimit, parandalimin e aksidenteve automobilistike, rritjen e cilësisë së shërbimit policor gjatë kontrollit të territorit në Qarkun e Tiranës si dhe mbajtjen nën kontroll të personave me preçedentë policorë dhe kapjen e të kërkuarve. Janë duke u marrë masa për mbulimin e akseve rrugore: Kamëz - Tiranë, Rinas - Tiranë, Tiranë – Ndroq - Plepa, Tiranë – Vorë – Durrës, Tiranë - Krrabë, Tiranë - Dajt, dhe në akset rrugore të rrethit të Kavajës, me shërbime të policisë rrugore dhe ato të policisë së rendit, gjatë ditëve të javës dhe fundjavave. Për informacione qytetarët ftojnë qytetarët të informojnë nëse mund të ndodhen përpara një situate emergjente në numrin telefonik pa pagesë 129 dhe 126, në mënyrë që policia të marrë masa të shpejta për kapjen e autorëve dhe vënien e tyre përpara organeve të drejtësisë.
Akuza i kërkon Gjykatës pezullimin nga detyra të mjekut Xhevahir Hoxhallari
TIRANË - Prokuroria ka kërkuar në Gjykatë pezullimin nga detyra të mjekut Xhevahir Hoxhallari, i cili po hetohet lidhur me vdekjen e pacientes 17-vjeçare Matilda Petriti. Kërkesa i ka rënë për gjykim gjyqtares Enkela Bajo, e cila kishte caktuar dje seancën e parë të gjykimit. Në seancën e djeshme avokati mbrojtës i të pandehurit kërkoi kohë që të njihej me dosjen dhe kjo e detyroi gjyqtaren ta shtyjë për javën që vjen fillimin e gjykimit. Mjeku Xhevahir Hoxhallari është i akuzuar për mjekim të pakujdesshëm në lidhje me vdekjen e pacientes 17-vjeçare Matilda Petriti, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Adoleshentja humbi jetën si pasojë e një hemorragjie pas një operacioni në bajame, ndërkohë që familjarët e saj akuzuan fill pas tragjedisë mjekët për neglizhencë, duke u bërë fajtor për këtë ngjarje. Pas kësaj, nisën hetimet dhe një radhë ekspertizash për të hedhur dritë rreth fajësisë, ose pafajësisë së mjekut.
18 Korrik 2008