E Diel, 1 Nëntor 2026

Sërish vatra zjarri në Vlorë dhe Gjirokastër, 6 barinj nën hetim



Edhe gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar disa vatra zjarri në rrethe të ndryshme të vendit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ditën e martë flakët kanë përfshirë disa zona në Vlorë dhe Gjirokastër, ndërkohë që po punohet për parandalimin e vatrave të tjera në Kavajë, Fier dhe zona të tjera të vendit. Një vatër zjarri, e riaktivizuar pas mesditës së djeshme në vendin e quajtur Qafa e Mazharit, në kullotat e fshatit Tragjas, rreth 20 km larg Vlorës, është shuar në kohë falë ndërhyrjes së menjëhershme të punonjësve të shërbimit pyjor. Përgjegjësi i shërbimit pyjor për sektorin e Parkut Kombëtar të Llogarasë, Llazar Gjoncaj, tha se "zjarri u riaktivizua rreth orës 13:30 në kullotat e fshatit Tragjas, si pasojë e erës së fortë, por ai u lokalizua në kohë dhe aktualisht është shuar, pa shkaktuar dëme materiale". Gjonacaj nënvizoi se prej tre ditësh efektivat e shërbimit pyjor janë përqendruar në zonën e bregdetit të Radhimës, Orikumit, Karaburunit dhe Parkun Kombëtar të Llogorasë, për të mbajtur nën kontroll situatën. Burimet zyrtare të Policisë së Gjirokastrës bëjnë të ditur se kanë nisur hetimet për zbardhjen e autorëve të zjarreve të ditëve të fundit. Një fakt i tillë është pohuar edhe nga përgjegjësi i sektorit për Policinë e Mbrojtjes ndaj Zjarrit dhe Shpëtimit (PMNZSH) për qarkun e Gjirokastrës, Lefter Qirici. Ai tha se flakët janë shkaktuar nga barinj të papërgjegjshëm, ndërsa policia lokale ka filluar ndjekjen penale për 6 zjarrvënës. Mbrëmjen e së mërkurës deri në orët e para të ditës së djeshme janë regjistruar një sërë zjarresh edhe në rrethin e Beratit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materialesh.

Përplasja, aksidentohen rëndë bashkëshortët

PEQIN - Një 59 vjeçar dhe bashkëshortja e tij u plagosën rëndë gjatë një aksidenti në aksin rrugor Elbasan- Peqin. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se Kadri Balla, 59 vjeç, teksa po drejtonte automjetin e tij tip "BMW", me targa PE 22 88 A, u përplas me mjetin tip motoçikletë me targa PE 053 A, që drejtohej nga 23 vjeçari C. B. Mësohet se drejtuesi i mjetit dhe bashkëshortja e tij Drita Balla, janë plagosur dhe aktualisht ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spitalin kirurgjik të Elbasanit në gjendje të rëndë për jetën. Policia shoqëroi drejtuesin e mjetit dhe ndaj tij kanë nisur hetimet.

Plagoset 40 vjeçari, ndalohet drejtuesi i mjetit

LEZHË – Një person ka mbetur i plagosur gjatë një përplasje mes një furgoni dhe motorciklete. Burime zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se shtetasi Bashkim Saçi nga fshati Mali i Bardhë i rrethit të Kurbinit, teksa po udhëtonte me një motorcikelë, u përplas me një furgon, që drejtohej nga Armand Dona, 25 vjeç. Për pasojë i plagosuri 40 vjeçar u dërgua në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Sipas të dhënave policore, 25 vjeçari Dona u shoqërua në komisariatin e policisë së Kurbinit.

18 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›