E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritje pagash për punonjësit e Mbrojtjes së Dëshmitarëve

 

TIRANE - Qeveria miratoi dje vendimin për rritjen e pagave të punonjësve, që shërbejnë në Sektorin e Mbrojtjes së Dëshmitarëve në Ministrinë e Brendshme. Vendimi nr.219 datë 27 janar 2009 ka marrë miratimin e Këshillit të Ministrave, duke hyrë në fuqi me një rritje pagash të veçantë për punonjësit e Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë. Kjo është një strukturë e ngritur vitet e fundit, e cila deri pak kohë më parë ka funksionuar vetëm në rang sektori, por më pas mori përmasat e një drejtorie më vete. Sipas relacionit të ministrit të Brendshëm, që ndodhet bashkëngjitur vendimit të miratuar dje në Qeveri, mësohet se në bazë të ligjit nr.9205, datë 15 mars 2004, "Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë", punonjësit e kësaj strukture kanë të drejtën e përfitimit të trajtimit të veçantë për vetë specifikën e punës që kryejnë, si shtesat në pagë, pasaporta shërbimi, etj. Sipas vendimit të Qeverisë dhe tabelës bashkëngjitur me këtë dokument, mësohet se shtesa në pagë varion nga 21600 lekë në muaj deri në 30800 lekë në muaj. Duke qenë se punonjësit e Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve janë të inkuadruar në statusin e Policisë së Shtetit, Ministria e Brendshme ka propozuar dhe Qeveria miratoi përfshirjen e tabelës së pagave për këtë drejtori, në strukturën që përmban rrogat e punonjësve të Policisë së Shtetit sipas hierarkisë, pozicionit dhe gradës. Në relacion thuhet se masa e shtesës në pagë është propozuar të jetë e njëjtë për të gjithë punonjësit, për shkak se secili prej tyre, pavarësisht rolit dhe funksionit që kryen, apo edhe gradës që mban, është i ekspozuar në mënyrë të njëjtë ndaj rrezikut evident. Ministria e Brendshme thekson më tej se efektet financiare për rritjen e pagave të punonjësve të Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve, janë të papërfillshme për shkak se ata edhe aktualisht mbi bazën e akteve të tjera përfitojnë shtesa në pagë, edhe pse jo të sanksionuara me vendime të Këshillit të Ministrave. Sipas dokumenteve që ndodhen bashkëngjitur vendimit të djeshëm të Qeverisë, efektet financiare të shtesave në pagë, është parashikuar të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.                                 tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›