E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, përplasje mes policisë dhe familjarëve të minatorëve

Tensionohet gjendja në qytetin e Bulqizës. Familjarë të minatorëve grevistë dhe qytetarë të Bulqizës të cilët kanë bllokuar sot rrugën nacionale Tiranë- Peshkopi në Qafën e Buallit janë përplasur me forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës ndërsa këta të fundit kanë tentuar të zhbllokojnë rrugën.
 

Policia e ka cilësuar të paligjshëm protestën e familjarëve të minatorëve dhe për këtë asyer forcat e FNSH-së kanë tentuar të ndërhyjnë por janë përleshur me protestuesit të cilët ishin ulur në rrugë duke moslejuar të qarkullonin automjetet.

Ndërkohë pas negociatave mes minatorëve dhe policisë, kjo e fundit i ka bindur protestuesit të zhbllokojnë një aks të rrugës duke lejuar qarkullimin e automjeteve por si pasojë e bllokimit të korsisë tjetër të rrugës Bulqizë-Burrel është krijuar trafik dhe radha e automjeteve arrin deri në 500 metra.

Familjarët e minatorëve vendosën që të marrin këtë masë të re proteste pas dështimit të takimit mes minatorëve dhe përfaqësuesve të kompanisë "ACR".

Ndërkohë 13 minatorë të Bulqizës ndodhen prej 17-të ditësh në grevë urie në nivelin e 14-të të minierës dhe gjëndja e tyre shëndetësore paraqitet e rëndë. Ata shprehen të vendosur se nuk do ta ndërpresin grevën e urisë derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

Minatorët kërkojnë rritje page në masën 40%, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›