E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, policia rrugore gjobit firmat se nuk mirëmbajnë rrugët

Në Qarkun e Dibrës, ku bëjnë pjesë rrethet Dibër, Bulqizë dhe Mat, gjatë ditës së djeshme është përkeqësuar lëvizja e automjeteve në rrugë. Shkak i këtij përkeqësimi është bërë shtresa e akullit në rrugë, si pasojë e uljes së ndjeshme të temperaturave, që në Bulqizën kanë arritur deri në minus 18 gradë Celsius, si dhe një shi i imët që ka nisur në orët e para të mëngjesit, që sapo ndesh rrugën kthehet në akull, duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve edhe pse të pajisur me zinxhirë. Kështu, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, një makinë fuoristradë ka rrëshqitur nga rruga në afërsi të Qafës së Buallit rreth dy kilometra larg qytetit të Bulqizës. Si pasojë janë plagosur drejtuesi i mjetit dhe një shoku i tij, të cilët kanë përfunduar në spital jashtë rrezikut për jetën.

Eksperti i qarkullimit rrugor në Komisariatin e Policisë Bulqizë, Fiqiri Rama, konfirmon për "Shqip", situatën e vështirë të qarkullimit rrugor në aksin nacional Bulqizë-Peshkopi, si pasojë e mbulimit të rrugës tërësisht me akull. Burime policore nga ky komisariat bëjnë me dije se situata problematike e këtyre ditëve në qarkullimin e automjeteve nuk po përcillet me shqetësimin e duhur në të tilla raste nga ana e Drejtorisë Rajonale të Rrugëve Dibër.

Ndërkohë, mësohet se nga të gjitha firmat e kontraktuara nga kjo ndërmarrje për mirëmbajtjen e rrugëve, vetëm njëra, ajo që vepron në aksin rrugor nacional Qafa e Buallit-Suç, i është përgjigjur situatës emergjente, ndërsa të tjerat nuk janë parë në rrugë për lirimin e plotë të tyre. "Të ndodhur përpara kësaj situate, - thotë shefi i qarkullimit rrugor në Bulqizë, Ardian Balla,- jemi detyruar të marrim masa administrative ndaj të gjitha firmave, me vlerën maksimale të gjobës që shkon deri në dy milionë lekë të vjetër".

Ndërkohë, dy fadromat e ushtrisë, të vëna nga qeveria në dispozicion të aksit rrugor nacional Bulqizë-Maqellarë, ende vazhdojnë të rrinë në ambientet e jashtme të komisariatit të policisë, pa e nisur punën e tyre për lirimin e rrugëve. Sipas nënprefektit të Bulqizës, Agim Perhati, fadromat e ardhura nuk janë efektive për punë, pasi rruga nacionale në segmentin Ura e Çerenecit-Klenjë nuk mund të hapet prej tyre. Në këtë segment, trashësia e dëborës shkon deri në një metër dhe sipas specialistëve, për hapjen e rrugës duhen mjete me zinxhirë dhe jo fadroma me goma. Në të tilla kushte janë "shuar" të gjitha shpresat për nxjerrjen nga izolimi të banorëve të Klenjës, ku gjendja e tyre prej dy javësh të izoluar, sa vjen dhe rëndohet akoma më tepër.

Situata e rrugëve mbetet problematike edhe në rrethet e Kukësit, Hasit, Tropojës, Pukës, Malësisë së Madhe dhe Shkodrës, ku bora e rënë gjatë javës së shkuar vazhdon të mbajë të bllokuara shumë rrugë rurale dhe të vështirësojë qarkullimin në disa segmente të rrugëve kombëtare.

Ndërkohë, mësohet se reshjet e dëborës që kanë përfshirë dje juglindjen e vendit kanë krijuar probleme qarkullimi edhe në rrethin e Korçës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›