Peticioni, familjarët e viktimave të Gërdecit: Mediu, jo ministër
TIRANE- Peticionit të një grupi gazetarësh dhe opinionistësh kundër Fatmir Mediut në qeveri i janë bashkuar sot edhe familjarë dhe të afërm të viktimave të tragjedisë së Gërdecit.
Ata janë shprehur sot sërish të zhgënjyer, këtë radhë jo vetëm për tejzgjatjen e procesit, por edhe për përcaktimin e Fatmir Mediut në një post ministror.
Sipas tyre, ai nuk duhet të jetë më ministër, së paku për aq kohë sa është në proces gjykimi dhe deri sa kjo çështje e bujshme të marrë fund.
"Nuk është normale që ai të caktohet ministër për sa kohë që është në gjykim"- tha familjarët sot pas shtryrjes së seancës së "Gërdecit".
Grup gazetarësh, peticion Berishës: Jo Fatmir Mediu në Qeveri
TIRANË - Një grup gazetarësh dhe opinionistësh janë nismëtarë të peticionit drejtuar Kryeministrit Berisha për mospërfshirjen e Fatmir Mediut në Qeveri. Sipas tyre, kreu i Republikanëve ka një proces gjyqësor të hapur dhe për këtë do të ishte e pamoralshme mbajtja e një posti ministror.
"Mediu është në një proces gjyqësor lidhur me tragjedinë e Gërdecit, e cila mori 26 jetë të pafajshme njerëzish dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, pa llogaritur këtu shkatërrimet materiale. Drejtësia shqiptare po heton dhe gjykon mbi përgjegjësinë e ish- ministrit të mbrojtjes", thuhet në peticion. Dhe më tej vazhdon "ne gjykojmë që prania në kabinetin Berisha e Mediut, paraqet një problem të rëndë moral dhe politik".
Gazetarët i kërkojnë Berishës që edhe pse Partia Republikane ka propozuar këtë emër të marrë masa që drejtësia në vihet në vend për këtë tragjedi të rëndë, ku i akuzuari kryesor është ish-ministri i Mbrojtjes Mediu. Sipas tyre, nëse do të merrte parasysh këtë kërkesë do demonstronte një përgjegjësi politike dhe publike kundrejt kësaj ngjarjeje, në përputhje me angazhimet që ai ka marrë publikisht për t'i shkuar kësaj tragjedie deri në fund lidhur me përgjegjësitë e gjithsecilit, kushdo qofshin ata.
Nismëtarë të këtij peticioni janë: Blendi Kajsiu, Henri Cili, Mentor Nazarko, Mustafa Nano, Skender Mixhozi, Fatos Lubonja, Lorenc Vangjeli, Andrea Stefani, Adrian Thano, Ardian Klosi. Ky peticion është i hapur për nënshkrime të tjera.
*****
Teksti i Peticionit:
Ne, një grup gazetarësh dhe analistësh të medias, shohim me shqetësim qytetar mundësinë e përfshirjes së ish-ministrit të Mbrojtjes dhe kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në kabinetin e ri Berisha. Siç është e mirënjohur për publikun e gjerë, zoti Mediu është në një proces gjyqësor lidhur me tragjedinë e Gërdecit, e cila mori 26 jetë të pafajshme njerëzish dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, pa llogaritur këtu shkatërrimet materiale. Drejtësia shqiptare po heton dhe gjykon mbi përgjegjësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes.
Edhe pse në demokraci parimi i prezumimit të pafajësisë është e drejtë e çdo qytetari, përfshi këtu kjo dhe për zotin Mediu, duke gjykuar natyrën thellësisht politike të institucionit të qeverisë së të gjithë shqiptarëve, ne gjykojmë që prania në kabinetin Berisha e zotit Mediu paraqet një problem të rëndë moral dhe politik.
Deri në përfundim të procesit gjyqësor, që po heton mbi përgjegjësinë e zotit Mediu në tragjedinë e Gërdecit dhe zyrtarëve të tjerë, ne gjykojmë se qëndrimi i tij jashtë kabinetit ministror është minimumi i mundshëm që shoqëria shqiptare të jetë e qetë se kemi të bëjmë me një qeveri të përgjegjshme dhe me një sens normal moraliteti.
Duke mbajtur jashtë kabinetit zotin Mediu, përtej përfaqësimit të tij politik apo mandatit që i ka dhënë partia e vet për ta përfaqësuar në qeveri, kryeministri, Sali Berisha, do të demonstronte një përgjegjësi politike dhe publike kundrejt kësaj ngjarjeje, në përputhje me angazhimet që ai ka marrë publikisht për t'i shkuar kësaj tragjedie deri në fund lidhur me përgjegjësitë e gjithsecilit, kushdo qofshin ata.
* Ky peticion është i hapur për nënshkrime të tjera