Bulqizë, shtyhet për të hënën rinisja e punës në minierë

Minatorët e Bulqizës nuk i janë kthyer as sot punës. 700 punonjës në galeritë e Bulqizës, të cilët ishin njoftuar se sot do të rinisin punën pas shumë kohësh ndërprerje janë kthyer sërish në shtëpi, me pretendimin se do të jetë e hëna, dita kur do të nisë puna në minierë. Minatorët janë paraqitur në orët e para të mëngjesit në administratën e firmës koncesionare ACR, por nuk kanë nisur punën, si ishte parashikuar.
Përfaqësuesit e Repart Inspektim dhe Shpëtim Minierave pas shqyrtimit të fronteve të mbetura të punës bashkë me inspektorët e ministrisë së ekonomisë dhe të AKBN-së dolën në përfundimin se gjithçka është gati për t`u rinisur puna për nxjerrjen e mineraleve të kromit. Por, një fakt i tillë nuk është konfirmuar ende nga firma austriake ACR me justifikimin se nuk kanë marrë një njoftim zyrtar për konkluzionet e tyre gjatë inspektimit të fronteve të galerive, të paktën kështu konfirmojnë minatorët.
Nga ana tjetër, sipas drejtorit të minierës Medat Zogu ekziston një tjetër arsye që dita e rifillimit të punës është shtyrë për të hënën. Sipas tij në galeritë e Bulqizës kanë mbetur për tu verifikuar edhe disa fronte pune, si dhe nuk janë realizuar disa urdhra pune të lëna nga përfaqësues të RISHM-it, AKBN-ja dhe METE disa ditë më parë për investime në minierën e Bulqizës.
Një ditë më parë përfaqësuesve të RISHM njoftuan se puna pritet të rinisë shumë shpejt, por vetëm në nivelin e 12-të, 13.14 dhe 15-të. I gjithë procesi i punës është ndërprerë pas shpërthimit që ndodhi në muajin tetor në një prej galerivë të Bulqizës, ku mbeti i vdekur minatori Naim Shyti, ndërsa 8 të tjerë morën plagë të lehta në trup.