E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e parasë në treg, Financat kërkojnë rritjen e interesit të bonove të thesarit

Ministria i kërkon BSH-së të rrisë interesat dhe sasinë për ankandin e radhës

Ervin KOÇI

Interesi i bonove të thesarit të emetuara nga Banka e Shqipërisë ka arritur majat. Shkak për këtë është bërë mungesa e parasë kash në tregun vendas, si dhe nevoja e ngutshme që ka qeveria për likuiditete për pjesën e dytë të vitit. Nisur nga kjo nevojë e ngutshme, Ministria e Financave mësohet t’i ketë kërkuar këto ditë BSH-së që të shtojë jo vetëm sasinë e bonove që do të hedh në ankandin e radhës, por edhe interesin për këto të fundit me qëllim grumbullimin e një sasie sa më të madhe parash. Në ankandin e fundit të zhvilluar nga BSH-ja, interesi i bonove të thesarit një vjeçar ka arritur në 9.28 për qind, duke pësuar rritje. Sipas ekspertëve të ekonomisë, “shtrenjtimi i bonove ka ardhur si pasojë e kërkesës së lartë të qeverisë për borxh, e cila gjendet në nevojë për para. Për këtë arsye prej disa muajsh interesat e bonove të thesarit po ruajnë një treg rritës”. Pra e thënë ndryshe, nëse dikush do të investojë paratë e tij, kjo është periudha më e favorshme për t’i investuar ato në bono thesari, pasi interesat e bonove të thesarit kanë arritur majat. Sa herë qeveria ka nevojë për para, pret këto letra me vlerë (bono thesari) dhe i shet në tregun financiar nëpërmjet BSH-së. Bonot e thesarit mund të blihen pranë bankave tregtare apo edhe BSH-së, ose filialeve të saj në rrethe. Është e mjaftueshme paraqitja e letërnjoftimit së bashku me paratë që do investohen. Pas derdhjes së parave, merret vërtetimi nga banka si dhe plotësohet një deklaratë që i bashkëngjitet kërkesës. Dy ditë pas shpalljes së rezultateve të ankandit, mund të shkojmë të tërheqim interesin. Ankandet për bono thesari me maturim tremujor zhvillohen çdo javë, ndërsa ato për bono me maturim gjashtëmujor dhe dymbëdhjetë mujor, çdo dy javë.

Bonot e privatizimit

Kohët e fundit edhe vlerat e bonove të privatizimit po vjen duke u rritur dita-ditës, madje sipas informacioneve nga tregu, brenda një muaji vlera e tyre është katërfishuar, duke shkuar nga 3 për qind deri në rreth 12 për qind. Ndërkohë, me nisjen e pagesave masive për legalizimet e shtëpive, pritet që vlera e tyre të shkojë deri në 30 për qind. Sipas deklaratave të ekspertëve të ekonomisë pranë qeverisë, vendimi për pagesën e legalizimeve përmes letrave me vlerë, do të aktivizojë më në fund letrat me vlerë. Në fakt, një vendim i tillë u iniciua si deklaratë politike nga kryeministri Berisha, pak para zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme. Por në vazhdim kjo deklaratë u konkretizua përmes një projektligji konkret, që do të sjellë rregullimin ligjor të praktikës së legalizimeve me bono privatizimi. Në ndryshimet në ligjin për legalizimit, qeveria fiksoi mënyrën e pagesës përmes bonove të privatizimit. Ndryshimet në këtë ligj konsistojnë në nenin që përcakton mënyrën e pagesës për legalizimin e ndërtimeve pa leje, me anë të bonove të privatizimit. Në ligjin në fjalë shtohet paragrafi që përcakton mënyrën e re të pagesës së legalizimeve përmes letrave me vlerë. Sipas projektligjit, “Pagesa për legalizimin e ndërtimeve pa leje bëhet: në lekë, në vlerë të plotë monetare të pasurisë, në proces legalizimi dhe me bono privatizimi”. Sipas ndryshimeve të ligjit ekzistues për legalizimin, pagesa bëhet për 50 për qind të vlerës së legalizimit me anë të letrave me vlerë, për sipërfaqet deri në 300 m2.

Vlera në treg

Sipas përllogaritjeve, janë rreth 750 mijë qytetarë, të cilët përfituan nga letrat me vlerë dhe bonot e privatizimit. Gjatë periudhës së qeverisjes socialiste ky proces qëndroi pezull, duke mos i konvertuar letrat me vlerë në aksione. Sipas të dhënave, rreth gjysma e letrave me vlerë u mbeten në dorë qytetarëve, kur ligji i vitit 1998 nuk u zbatua. Sipas ligjit të vitit 2008, në kuadrin ligjor për realizimin e procesit të privatizimit për sektorë strategjikë dhe jostrategjikë, është parashikuar pjesëmarrja e letrave me vlerë dhe bonove të privatizimit. Letrat me vlerë janë letra të cilat kanë një vlerë nominale dhe do të përdoren për t'u konvertuar në vlerë aksionesh me këtë vlerë.

BOX/////////////////////////////
Cani: “Investimi i kursimeve në bono thesari më i leverdisshëm se sa depozitat”

Sipas përllogaritjeve me interesat aktuale të bonove të thesarit, individëve u leverdis më shumë të investojnë paratë e tyre në bono thesari sesa t’i depozitojnë pranë bankave të nivelit të dytë. Kjo praktikë shikohet me interes edhe nga ekspertët e ekonomisë të cilët këshillojnë si një mënyrë më të frytshme të qarkullimit të parasë në treg, pikërisht investimin e kursimeve në bono. Sipas ish-guvernatorit të BSH-së, Shkëlqim Cani, investimi në bono thesari ka më leverdi për cilindo individ që kërkon të fitojë një interes më të lartë për kursimet e tij sesa thjesht dhe vetëm depozitimi në një bankë private. Por ai thekson faktin se duhet të jenë pikërisht bankat tregtare në vend ato që duhet të japin konsulencën e duhur për klientët e tyre, duke u treguar transparente. “Bankat private deri tani nuk janë treguar transparente sa duhet me klientët e tyre, pasi ato u kanë dhënë më tepër interes depozitave sesa mundësisë që klienti ti investojë paratë e tij aty ku mund të fitojë më tepër. Kjo është bërë për arsye leverdie nga ana e bankave, pasi depozitat u japin atyre më tepër fitim për shkak të komisioneve, në një kohë që investimi i kursimeve në tregun e bonove të thesarit, ka më tepër leverdi për individët pasi interesi është më i lartë dhe përqindja mund të merret që në fillim”. Nëse i hedhim një sy tregut vendas të parasë, duket qartë që investimi i parave të lira në bono thesari është më i leverdishmi. Kjo lidhet me faktin që jo vetëm se normat e interesit të bonove të thesarit janë më të larta sesa normat respektive të interesit të depozitave të ofruara nga bankat e nivelit të dytë, por edhe të qenit më likuid si investim.

Tjetër/////////////////////////////
KRTRSH miratoi dje 19 vendime dhe projekte

Këshilli i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë miratoi dje projektet e lëna që nga mbledhja e javës së kaluar. Ashtu si javën e kaluar, edhe në mbledhjen e djeshme u miratuan rreth 20 projekte, që nga studime urbanistike për zona të ndryshme të vendit, e deri te projektet për turizmin. Në mbledhjen e datës 14 korrik, u shty miratimi i katër fabrikave të çimentos, për shkak se Ministria e Mjedisit nuk kishte përfunduar studimin për efektet në mjedis të këtyre fabrikave. KRRTSH-ja diskutoi dhe miratoi lejet e ndërtimit për fabrikat e çimentove në Balldren dhe në Mamurras të qarkut të Lezhës, si dhe në Bushat të Shkodrës. Gjithashtu u miratua dhe studimi urbanistik për ndërtimin e një fabrike çimentoje në Nikël të Fushë Krujës, studimi urbanistik për ndërtimin e një hidrocentrali në Librazhd, studimi urbanistik i përgjithshëm për Voskopojën, plani rregullues për Cërrikun, ndërtimi i një terreni sportiv në Rinas, plani rregullues për qytetin e Përrenjasit, si dhe rreth 23 leje dhe studime të ndryshme për investime në sektorë të ndryshëm.

Lejet dhe projektet e miratuara dje në mbledhjen e KRRTSH-së

1. “Leje ndërtimi për Fabrikën e prodhimit të çimentos në zonën e Balldrenit, (Lezhë)"
2. "Leje për ndërtim Hidrocentrali në qytetin e Librazhdit"
3. "Leje ndërtimi për Fabrikë të prodhimit të çimentos në Mamurras (Lezhë)"
4. “Studim urbanistik për ndërtimin e fabrikës së çimentos në Bushat (Shkodër)"
5. "Studim urbanistik i përgjithshëm për fshatin e Voskopojës"
6. "Studim urbanistik për fabrikë të prodhimit të çimentos dhe kompleks industrial në Fushë-Krujë,’Nikël’"
7. "Plani rregullues për qytetin e Cërrikut (Elbasan)"
8. "Plani rregullues për qytetin e Përrenjasit, (Elbasan)"
9. "Studim urbanistik i pjesshëm për parkun turistik në Krasta e Madhe, qarku Elbasan"
10. "Plani rregullues urbanistik për bashkinë Gramsh (Elbasan)"
11. "Plani rregullues urbanistik për bashkinë Belsh, (Elbasan)"
12. "Plani rregullues për komunën Bushat, (Shkodër)"
13. "Studimi rajonal dhe mjedisor për komunën Prezë-Bërzull, në Vorë"
14. "Masterplani rregullues për qytetin e Vorës"
15. "Studimi urbanistik përgjatë rrugës së Rinasit"
16. "Plan urbanistik pranë gjirit të Drinit"
17. “Studimi urbanistik për komunën e Farkës"
18. "Terren sportiv në Rinas"
19. "Studim për ndërtimin e një polifushe në zonën midis zonës Kashar -Rinas".

22 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›