E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti për tregun e banesave: “Kriza frenon blerjet dhe rritjen e çmimeve”

Raporti i BSH-së për sektorin e ndërtimit hedh dritë mbi situatën kritike

Tashmë edhe zyrtarisht mund të thuhet se sektori i ndërtimit në vend por dhe shitja e banesave kanë hyrë në krizë. Një studim më i fundit i Bankës së Shqipërisë në lidhje me ecurinë e këtij sektori në vitin e fundit, hedh dritë mbi bllokimin që ka pësuar kjo pjesë e ekonomisë. Sipas studimit, mund të thuhet fare mirë se tashmë kriza ekonomike e ka prekur sektorin e ndërtimit pasi ka frenuar shit-blerjet e banesave dhe ambienteve të tjera të ndërtuara. Kjo situatë sipas raportit bëhet edhe më e vështirë po ti shtosh këtu edhe problemin e rënies së kredi-dhënies për pasuritë e paluajtshme, e cila ra në rreth 149.8 miliardë lekë. Ekspertët e BSH-së, që janë marrë me plotësimin e këtij studimi specifik, shkëpusin si një mundësi të vetme por provizore të shpëtimit të këtij sektori, nevojën që mund të kenë emigrantët për të blerë. Sipas tyre, ardhja e emigrantëve pritet të rrisë kërkesën për banesa. Por këtë vit, kriza ekonomike që ka prekur vendet e Evropës ku jetojnë dhe punojnë emigrantët shqiptarë ka sjellë efektet edhe në këtë sektor. Në agjencitë imobiliare në kryeqytet është vënë re vetëm një rigjallërim i lehtë i këtij tregu. Ekspertë të agjencive imobiliare shprehen se rritja e çmimeve të apartamenteve do të vijë për shkak se kërkesa e konsumatorit në Shqipëri është akoma e lartë. Sipas tyre, çmimi i banesave do të jetë në rritje që mesatarisht do të lëvizë nga 5-7 për qind në vit.

Çmimet

Sipas të dhënave të raportit tregohet se, çmimet në tregun e banesave nuk kanë reflektuar plotësisht ecurinë e kostove të ndërtimit që kanë ardhur në rënie prej vitit 2008, duke nënkuptuar uljen e marzheve të fitimit për industrinë e ndërtimit. “Ecuria e çmimeve të banesave, është me rëndësi për industrinë e ndërtimit, për publikun dhe për sistemin financiar në vend. Për vetë rolin që banesat dhe pasuritë e tjera të patundshme luajnë në konsumin afatgjatë të qytetarëve, në sektorin bankar dhe në sistemin financiar, njohja e ecurisë së çmimit të tyre dhe e faktorëve që shkaktojnë ndryshimin e kësaj ecurie, merr rëndësi të madhe”, - thekson raporti i BSH-së. Në tremujorin e fundit të vitit vihet re një zhvendosje drejt formës “overdraft”, ku pesha e kësaj të fundit ka arritur në nivelin 25 për qind. Në të njëjtën kohë, pesha e kategorisë “investime për pasuri në paluajtshme” bie në nivelin 43 për qind. Pjesa e portofolit të kredisë që është investuar vitin e kaluar në pasuritë e paluajtshme është rreth 149.8 miliardë lekë.

Kredia

Gjatë vitit 2008, tregu i banesave është karakterizuar nga frenimi i ritmit të rritjes së çmimeve dhe nga luhatje të indeksit të qirasë. Në raportin në fjalë thuhet se: “indeksi mesatar i çmimit të banesave për rrethin e Tiranës ka rënë me 0.3 për qind në terma vjetorë, në ndryshim nga sjellja në tre vitet paraardhëse kur indeksi ka shënuar rritje të ndjeshme. Frenimi në normën e rritjes së çmimeve të banesave mund të jetë i lidhur si me zbutjen e kërkesës për banesa, ashtu edhe me një rritje të ofertës për to. Kështu, sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues, bankat raportojnë për një rënie të kërkesës së individëve për kredi për blerje banese, si edhe për një shtrëngim të standardeve të kredidhënies për këtë qëllim”. Gjatë vitit 2008, vihet re që kredia e re dhënë individëve është kryesisht e përqendruar në kategorinë “investime në pasuri të paluajtshme”. Pesha më e lartë për këtë kategori shfaqet në tremujorin e tretë të vitit me rreth 58 për qind. “Aktualisht, për të nxjerrë konkluzione mbi prirjet e ecurisë së çmimit të banesave në të ardhmen, është e nevojshme të përmirësohet metodologjia e mbledhjes së informacionit për të siguruar një shtrirje më të madhe gjeografike si edhe një vlerësim më të saktë sipas llojeve të banesave, sipërfaqeve, vendndodhjes, vitit të ndërtimit, mënyrës së financimit, mënyrës së pagesës”, - thuhet në raportin e BSH-së.

Qiratë

Gjatë vitit 2008, indeksi i qirasë shfaq luhatshmëri më të madhe krahasuar me indeksin e çmimit të banesave dhe njëkohësisht një prirje më të qartë rënëse. Pas një rënieje vjetore prej 9.5 për qind gjatë tremujorit të dytë të vitit 2008, indeksi i qirasë u rrit me 7.5 për qind gjatë tremujorit të tretë, për t’u ulur sërish në tremujorin e katërt me rreth 5 për qind. Mesatarisht, gjatë vitit 2008, indeksi i qirasë pësoi një rënie prej 1.9 për qind krahasuar me vitin 2007. Nga ana tjetër, gjatë vitit 2008, tregu i banesave është karakterizuar nga frenimi i ritmit të rritjes së çmimeve dhe nga luhatje të indeksit të qirasë, duke shënuar normat më të ulëta të rritjes vjetore që nga viti 2005.

BOX/////////////////////////
Kreditimi nga bankat, sektori i biznesit kryesues

Kredia e përdorur për qëllime investimi, si për blerje pajisjesh dhe makinerish dhe për ushtrim aktiviteti, sipas të dhënave të BSH-së, vlerësohet rreth 80.3 miliardë lekë ose 20.7 për qind e totalit të portofolit të kredisë dhe 7.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kredia e përdorur për investime në pasuritë e paluajtshme, qoftë për biznese apo edhe për individë vlerësohet 149.8 miliardë lekë ose 13.9 për qind e PBB-së. Në fund të vitit 2008, teprica e kredisë së sektorit bankar rezultoi 396.7 miliardë lekë, duke përfaqësuar 37 për qind të PBB-së. Rreth 254 miliardë lekë rezultojnë si kredi e përftuar nga sektori i biznesit, duke shënuar një rritje me 69.6 miliardë lekë ose 38 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si edhe 13.6 miliardë lekë ose 6 për qind me tremujorin e tretë të vitit. Nga kredia për sektorin e biznesit në fund të vitit 2008, rreth 75.6 miliardë lekë ose 29.7 për qind janë marrë në formën “overdraft”-it, rreth 48.7 miliardë ose 19.2 për qind janë marrë si kredi për kapital qarkullues, rreth 68.3 miliardë lekë ose 27 për qind përfaqësojnë investime në blerje makinerish dhe pajisjesh dhe rreth 61.2 miliardë lekë ose 24 për qind përfaqësojnë investime në pasuri të paluajtshme. Pjesa e portofolit e përfituar nga individët/familjet, vlerësohet në rreth 134.3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 31.3 miliardë lekësh ose 30.3 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në fund të vitit 2008, kredia që ka shkuar për konsum të pastër, e identifikuar si kredi e dhënë për individët në formë “overdraft”-i për konsum të mallrave jo të qëndrueshëm dhe të mallrave të qëndrueshëm, vlerësohet 33.7 miliardë lekë ose rreth 8.7 për qind e totalit të portofolit të kredisë. Kjo shifër përbën gjithashtu 25.1 për qind e portofolit të kredisë së dhënë për individët dhe rreth 3.1 për qind të PBB-së.

Shkurt////////////////////////////
Shqipëria humb “betejën” tregtare me Ballkanin

Deficiti tregtar me vendet e rajonit të Ballkanit vazhdon të thellohet më tej. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, për periudhën janar-prill të këtij viti, vlera e deficitit tregtar shqiptar me vendet me të cilat kemi nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë arriti në 3.48 miliardë lekë, duke u rritur mbi 5 herë në vlerë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Deficiti ka ardhur duke u thelluar më tej gjatë muajit prill. Në tre muajt e parë të këtij viti, deficiti tregtar me gjashtë vendet e rajonit (Serbi, Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë) rezultonte tri herë më i lartë në vlerë, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2008. Lehtësitë doganore për të zhvilluar tregti me këto vende nuk duket të kenë qenë në favor të prodhuesve shqiptarë. Deficiti tregtar rezulton të jetë rritur mbi të gjitha për shkak të rënies së eksporteve drejt këtyre vendeve. Sipas të dhënave nga doganat, vlera e eksportit deri në fund të prillit të këtij viti ishte 0.75 miliardë lekë, nga 2.81 miliardë lekë të eksportuara gjatë periudhës janar-prill 2008 në këto vende. Ndërsa vlera e eksporteve ka rënë me 73 për qind, importet për të njëjtën periudhë janë rritur rreth 22 për qind. Mallrat e importuara nga vendet fqinje, sipas të dhënave doganore, arritën në këto 4 muaj në 4.23 miliardë lekë.

Kriza imobiliare, rrëzohen çmimet e shtëpive në Bullgari

Çmimet e shtëpive në Bullgari kanë rënë me 23 për qind gjatë gjysmës së parë të këtij viti në krahasim me vitin 2008 si pasojë e krizës botërore, njoftuan dje mediat vendëse, duke cituar agjenci të shitblerjes së pronave të patundshme. Sipas analistëve, çmimet do të vijojnë të bien deri në fund të vitit. Sipas tyre, në shumë qytete çmimet janë mbivlerësuar tepër gjatë viteve të fundit dhe në pak muaj janë ulur me më shumë se 30 për qind. Në disa lagje periferike të Sofjes çmimet referuese të apartamenteve popullore tashmë kanë rënë në 30 mijë euro. Për shkak të strukturës së popullatës dhe mungesës së lëvizjeve të forta demografike, çmimet e pronave të patundshme në qytetet bullgare nuk janë rritur në mënyrë aq dramatike sa në pjesën tjetër të Ballkanit gjatë viteve të fundit. Industria e ndërtimit në këtë vend është përqendruar në zonat bregdetare, ku hapja e turizmit ka krijuar një treg të ri. Shumë të huaj kanë blerë apartamente dhe prona të tjera në bregdetin bullgar, duke sjellë edhe rritje të shpejtë të çmimeve. Tani kjo kategori pronash është edhe më e goditura nga kriza.

22 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›