E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, tritol minierës për konkurrencë

Një sasi eksplozivi ka shpërthyer brenda galerisë vetëm pak kohë pasi ishin larguar punëtorët e turnit. Mister autorët



BULQIZE- Sektorët e privatizuar të minierës së kromit në Bulqizë vazhdojnë të jenë arene e përplasjeve konkurenciale në nxjerrjen e kromit, deri në veprime të dhunshme. Madje nuk ka munguar dhe përdorimi i armëve apo lëndëve plasëse për të dëmtuar interesat e njërës apo tjetrës palë.

Një veprim i tillë i dhunshëm është kryer edhe dje rreth orës 17.00 tek një galeri e një miniere në Bulqizë ku është vënë një sasi e madhe tritoli duke shkaktuar dëmtime në hyrje të galerisë por dhe brenda saj. Bëhet fjalë për galerinë 12 të zonës D ku dhe është vënë tritoli,një nga sektorët e pasur me mineralin e kromit,e privatizuar që në gusht 2998 nga Ministria e Energjetikës për një sipërmarrës në këtë qytet.

Sipas dëshmitarëve okularë, shpërthimi ka qenë tejet i fuqishëm pasi ka dhënë ndikime dhe brenda në galeri pos portës hyrëse,e cila është bllokuar totalisht, por për fat në atë moment nuk ka pasur minatorë në hyrje të galerisë.

Me sa duket, autorët e paidentifikuar të këtij veprimi kriminal nuk kanë pasur për qëllim dëmtimin e minatorëve por për t'i dhënë një sinjal të fortë poseduesit të saj pronar që është dhe person i njohur në qytetin e Bulqizës. Shpërthimi ndodhi pasi minatorët ishin larguar nga miniera.
Menjëherë sapo ka ndodhur shpërthimi në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë vendore dhe një ekip ekspertësh për të këqyrur vendin e ngjarjes. Sipas policisë ende nuk janë identifikuar autorët por po punohet për këtë gjë dhe vendosjen e tyre para përgjegjësisë ligjore.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›