E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi, Medreseja e Cërrikut pezullon mësimin

Drejtuesit e shkollës pohojnë se nga 143 nxënës, 80 prej tyre mungojnë prej ditësh sepse janë të sëmurë me grip

CËRRIK- Teksa zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë tentojnë të qetësojnë opinionin publik në lidhje me epideminë e gripit të stinës por edhe përhapjen e virusit AH1N1, nga Cërriku vijnë shenjat e para të alarmit. Drejtues të Medresesë "Iliria" në Cërrik kanë lajmëruar Drejtorinë Arsimore Elbasan për mbyllje të përkohshme të mësimit për shkak të rënies në masë të gripit stinor. Drejtues të shkollës thonë se më shumë se gjysma e nxënësve rezultojnë të sëmurë dhe nuk shkojnë prej ditësh në mësim. Por mesa duket, rastet kanë ardhur duke u shtuar dhe nga 143 nxënës 80 rezultojnë me grip.

Pas kësaj kërkese, drejtoria arsimore ka konfirmuar ndërprerjen e mësimit deri në stabilizimin e situatës. Ndërkohë, Drejtoria e Higjienës në Elbasan e lajmëruar për këtë rast ka bërë verifikimet e para. Sipas drejtorit të sapo emëruar të higjienës, Bujar Kllogjeri, hidhen poshtë mundësitë për grip derri duke deklaruar se situata epidemiologjike nga gripi i zakonshëm nuk është ashtu siç paraqitet. Aktualisht rezultojnë rreth 17 nxënës me virus gripi që mungojnë në shkollë dhe jo 80. Gjithsesi kanë qenë mungesat e shumta që kanë shqetësuar drejtuesit e medresesë turke të ndërpresin mësimin deri në qetësimin e situatës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›