E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, tritol minierës së kromit

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

Tritol një miniere private në Bulqizë. Pas një qetësie relative rikthehen aktet e dhunës për kromin në zonën mineralmbajtëse. Bashkë me rritjen e çmimit të tij rritet dhe tensioni mes “konkurrentëve” për zona influence. Ngjarja e ndodhur dje rreth orës 16.30 bllokoi hyrjen kryesore të minierës, e cila ndodhet brenda zonës së ACR-së. Nga shpërthimi është bllokuar hyrja e minierës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale, fatmirësisht pa të lënduar. Punëtorët sapo kishin lënë turnin, pasi në të kundërt do të kishte pasoja fatale për ta. Burime pranë “Albanian Crom” sqaruan se janë njoftuar nga policia lokale se në minierën e shtetasit Edmond Isaku është vënë tritol për bllokimin e galerisë që është privatizuar nga ana e tij, duke shkaktuar dëme serioze. Ngjarja ka ndodhur pas turnit të parë të punës dhe fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz. “Kjo minierë ndodhet në afërsi të minierës sonë dhe është privatizuar nga Isaku dy vjet më parë. Si shumë miniera të tjera është ngjitur me minierën tonë, në zonën D, në pjesën jugore, afër galerisë C”, pohohet nga përfaqësues të ACR-së. Nga ana e saj, policia ka bërë të ditur se po punojnë për zbardhjen e ngjarjes. Sipas tyre, firmat që punojnë në territorin e ACR-së janë njoftuar për t’i lënë galeritë, pasi nuk plotësojnë kushtet për vijimin normal të punës. Po sipas policisë lokale disa subjekte private që punojnë në këtë zonë nuk kanë zbatuar rregullat e sigurimit teknik dhe se në jo pak raste ato kanë pasur probleme me shtetin dhe mes njëri-tjetrit. Pronari i minierës Edmond Isaku, njëkohësisht pronari i Tv Bulqiza tha për “Panorama” se akti i djeshëm është kryer nga individë që merren me tregti të paligjshme të kromit. “Nuk mund të them se tritoli është vendosur nga konkurrentë të mi, pasi kurrë nuk mund ta mendoj se persona të licencuar kanë kryer një akt të tillë. Unë kam bindje të plotë se akti është kryer nga persona që merren me kontrabandën e kromit dhe që kanë mbrojtjen e policisë lokale”.
Duke kundërshtuar policinë se ACR ka urdhëruar largimin e këtij subjekti nga territori i minierës Isaku pohoi se: “Në asnjë rast nuk kam pasur porosi, urdhër apo vendim nga miniera austriake për t’u larguar nga miniera që kam privatizuar vite më parë”. Pronari i galerisë së shkallmuar nga tritoli tha se lënda plasëse është vendosur pak çaste pas largimit të punëtorëve nga nëntoka. “Janë persona që kanë lidhje me policinë që kanë kryer këtë akt. Kam ngritur padi dhe kërkoj zbardhjen e të vërtetës. Madje kam vënë në dijeni dhe drejtuesit e Ministrisë së Brendshme duke kërkuar ndaljen e lidhjeve të policisë me kontingjentet e krimit, pasi ky akt nuk lidhet me ACR por me persona që duan të bëjnë ligjin në mënyrë të paligjshme në tregtinë e kromit”, nënvizoi Edmond Isaku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›