E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau vëllanë me thikë, dënohet me tetë vjet burg 25-vjeçari

 

SARANDE - Gjykata e Sarandës, ka dënuar me 8 vjet heqje lirie, Ermir Myrtajn, i cili 5 muaj më parë vrau për motive të dobëta vëllanë e vet, Laze Myrtaj, 30 vjeç. Gjatë gjykimit i pandehuri Ermir Myrtaj ka pranuar akuzën e ngritur për veprën penale “vrasje me dashje” si dhe gjithçka të dalë nga hetimet e organit të akuzës. Për rrjedhojë, ai ka kërkuar gjykim të shkurtuar, çka është pranuar si nga organi i akuzës edhe nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Enkeleda Doda. Në përfundim, prokurori i çështjes, Platin Aliçkaj ka kërkuar dënimin e tij me 12 vjet heqje lirie për veprën penale të “vrasjes me dashje” dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimin e tij me 8 vjet heqje lirie. Turpi gjykues i kryesuar nga Enkeleda Doda, e ka pranuar kërkesën e prokurorit. Nën arsyetimin se në rastin konkret kemi të bëjmë me një krim të ndodhur brenda marrëdhënieve familjare dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, trupi gjykues vendosi këtë masë për Ermir Myrtajn. Ngjarja për të cilën akuzohet 25-vjeçari Myrtaj, banor i fshatit Gjashtë në Sarandë, ka ndodhur në 23 korrik të këtij viti. Fillimisht për ngjarjen janë arrestuar dy shtetas. Ermir Myrtaj, vëllai i viktimës dhe 19-vjeçari J.Beruka, i cili u la i lirë një muaj më pas për mungesë provash. Shkak për ngjarjen, siç është pohuar dhe në gjykatë, janë bërë preferencat seksuale të viktimës. Ai njihej si përdorues i drogave të forta, së bashku me të vëllanë dhe 19-vjeçarin Beruka. Me këtë të fundit, disa ditë para ngjarjes, viktima Laze Myrtaj, kishte konsumuar lëndë narkotike në një plazh të qytetit të Sarandës, kohë kur kishte ngacmuar dhe Berukën, të cilit i ishte shprehur se prej dy vitesh ishte kthyer në homoseksual. Refuzimi nga ana e 19-vjeçarit ka bërë që mes tyre të ndizet një konflikt. Të ndodhur në këto kushte, Beruka i ka treguar Ermir Myrtajt se çfarë kishte ndodhur me vëllanë e tij. Të dy bashkë kanë shkuar mbrëmjen e 23 korrikut dhe kanë takuar viktimën Laze Myrtaj për t’u sqaruar. Në oborrin e familjes Myrtaj në Gjashtë, dy vëllezërit janë konfliktuar keqazi. Viktima Laze Myrtaj e ka shtyrë të vëllanë, Ermirin në një mur, ndërsa ky i fundit, më pas, në gjaknxehtësi e sipër, e ka goditur me thikë në zemër duke e lënë të vdekur. sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›