E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, zhduket pas protestës minatori 26 -vjecar

BULQIZË - Një nga minatorët e Bulqizës rezulton i zhdukur prej tri javësh, ndërkohë, që familjarët e kanë bërë publik këtë fakt, vetëm një ditë më parë. Ata i janë drejtuar policisë lokale për ndihmë. Familjarët, pasi janë munduar ta gjejnë djalin 26-vjeçar, Roland Dauti, tek njerëzit e afërm, janë detyruar të denoncojnë në polici zhdukjen e tij. Mësohet se, më 20 gusht, ai ka qenë pjesmarrës në protestën e minatorëve, të cilët janë përleshur me Forcat Speciale dhe ato të rendit. “Rolandi nuk ka qenë në krye të protestës atë ditë. Ai dhe disa minatorë të tjerë ishin në afërsi të garderobës, 10-12 metra më larg. Punonte si mirëmbajtës shinash dhe ishte shumë punëtor. Deri atë ditë ka marrë pjesë në protestat e zhvilluara”- sqarojnë kolegë të tij, të cilët janë të habitur se si ai është zhdukur prej kaq ditësh. “Nuk mund ta besojmë se Rolandi është zhdukur. Ai ishte i qetë dhe nuk kishte paraqitur probleme. Urojmë të mos i ketë ndodhur gjë e keqe”, -shprehen anëtarë të Këshillit Sindikal të minatorëve, të cilët ndjejnë keqardhje për lajmin e mësuar, vetëm një ditë më parë. Prindërit e 26- vjeçarit i kanë thënë policisë së Bulqizës se, më datë 20 gusht, rreth orës 15.30, sapo ka përfunduar protesta, Rolandi ka vajtur në shtëpinë e tij në Vajkal, fshat afët qytetit. Pasi është përshëndetur me të afërmit, familjarët e kanë ftuar të drekonte, por ai nuk ka pranuar. Pas pak minutash ka lënë mbi tavolinë celularin dhe portofolin dhe është përshëndetur me të pranishmit. Që nga ai moment, asnjë i afërm i tij nuk ka dijeni rreth fatit të tij. Policia lokale ka ngritur një grup pune për zbardhjen e kësaj ngjarje, ndërkohë të afërmit kanë nisur kërkimet në zonë dhe te njerëzit që kanë lidhje gjaku a miqësie me familjen Dauti. Burime të rezervuara thanë se i riu kishte paraqitur shenja depresioni, ndërkohë kolegët e tij minatorë e hedhin poshtë këtë version. Deri mbrëmë, nuk ka një version të qartë rreth largimit pa gjurmë, të Roland Dautit.

P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›