E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët: Të hënën rifutemi në grevë urie

BULQIZË - Minatorët e Bulqizës kanë vijuar protestat edhe mëngjesin e djeshëm. Ata janë grumbulluar rreth orës 07.00, te dera kryesore e ACR-së, dhe kanë qëndruar aty në heshtje deri në orën 15.00, duke ndjekur kështu ritin e nisur, më 4 korrik të këtij viti. ACR ka kërkuar rikthimin e minatorëve ditën e hënë në punë, ndryshe nuk do të jenë pjesë e kompanisë austriake, ndërkaq minatorët janë shprehur se firma e huaj po i detyron të nisin një tjetër grevë urie, ndoshta me pjesmarrje më të madhe të minatorëve. Minatorët e Bulqizë kanë kërcënuar se nëse deri të hënën, firma ACR nuk plotëson kërkesat e tyre, atëherë ato nuk do i dërgojnë fëmijët në shkollë, ndërsa ato vetë do të rifuten në grevë urie, në mjediset e jashtme të ACR-së, ose në zyrat e minierës, ose në pjacale, aty ku grumbullohet kromi. Tre kërkesat e radhës të minatorëve janë: Të largohet administratori, të paguhen ditët e grevës dhe sigurimet shoqërore. Ndërkohë ACR ka përsëritur thirrjen që minatorët të rikthehen në vendet e tyre punës, ditën e hënë, më 12 shtator në ora 07.00, duke i mbetur qëndrimit se punonjësit që nuk do të paraqiten do të konsiderohen se nuk dëshirojnë të jenë pjesë e kompanisë. ACR ka siguruar se minatorët, që do t’i rikthehen punës, do të përfitojnë menjëherë rritjen 20% të pagës, përmirësimin e kushteve të punës si edhe informacion dhe transparencë të plotë për investimet në minierë, kërkesa këto, që sipas ACR-së janë plotësuar prej saj që në ditët e para të grevës. Taf Koleci tha se e hëna do të sjellë zhvillime interesante në qytetin e Bulqizës. “Protesta do të marrë përmasa të tjera. Fëmijët e tyre nuk do të mbushin oborret e shkollave e klasat e mësimit, por do të mbushin mjediset e ACR-së. Ata nuk kanë patur mundësi të sigurojnë libra e rroba për vitin e ri shkollor. Prej dy muaj e gjysëm, minatorët nuk firmosin në bordero. Në këto rrethana jemi të detyruar të rinisim grevën e urisë,- nënvizoi Koleci për “Mapo”. ACR do të akordojë një asistencë të vecantë me vlerën e 20 ditëve pune si dhe, do t'u paguajë minatorëve rrogën e 13-të brenda javës së ardhshme, ndërsa Këshilli Sindikal dhe komisioni i grevës kërkojnë 70 ditë pagesë, që nga 4 korriku e këtej, ndryshe puna në minierë nuk do të fillojë,- thanë minatorët që tubohen çdo ditë para minierës, ku punojnë prej dekadash. Të premten, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, depozitoi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë një padi ndaj ACR-së, duke e akuzuar atë, që po shkel rëndë ligjin e grevës. Javë më parë, ishte ACR që fitoi një duel gjyqësor me minatorët. Gjykata e Dibrës vendosi daljen e minatorëve grevistë nga nëntoka e minierës.

PAJTIM HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›