Telefoni i Konomit hedh poshtë dyshimet për kërcënim
Ekspertët e policisë kanë mundur të këqyrin telefonin e viktimës, vetëm paraditen e djeshme, për shkak të lagies nga uji dhe karburanti. Priten tabulatet telefonike
Hetimet mbi motivet e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi nuk kanë mundur të gjejnë asnjë të dhënë për një kërcënim të mundshëm ndaj gjyqtarit, para atentatit mafioz në qendër të qytetit të Vlorës. Sipas burimeve të rezervuara mësohet se këqyrja e telefonit celular të viktimës, por edhe dëshmitë e miqve dhe familjarëve të tij nuk kanë dhënë asnjë element, që mund të tregonte një konflikt të mundshëm të gjyqtarit para vrasjes. Mësohet se vetëm paraditen e djeshme, ekspertë kriminalistikë të policisë së Vlorës kanë mundur të zbërthejnë telefonin celular të gjykatësit të vrarë, Skerdilajd Konomi. Burime nga grupi hetimor i thanë “MAPO”-s se për orë të tëra, aparati telefonik është lënë të thahet në një ambient të posaçëm, pasi për një kohë të gjatë ai nuk mund të këqyrej nga ekspertët. “Pas shpërthimit, telefoni ka rënë në kontakt me ujin e zjarrëfikëses, por edhe karburanti i automjetit e kishin bërë të pamundur zbërthimin e të dhënave të telefonit. Të shtunën paradite ne mundëm të dëshifronim dhe të nxirrnim të gjitha të dhënat e mundshme që përmbante telefoni i viktimës”,- u shprehën ekspertë të policisë së Vlorës. Nga këqyrja e telefonit ekspertët kanë mundur të sigurojnë të gjitha të dhënat e ruajtura në celular, përfshirë kontaktet e fundit telefonike dhe SMS-të e shkëmbyera. Por nga këto të dhëna, hetuesit nuk kanë mundur të deshifrojnë asnjë sinjal për një kërcënim të mundshëm në adresë të gjyqtarit nëpërmjet telefonit të tij celular. Mungesa e sinjaleve të tilla kërcënuese e bën akoma më të vështirë punën e hetuesve, të cilët kanë kërkuar tabulatet telefonike të celularit të viktimës, por edhe të personave të tjerë. Sipas ekspertëve, tashmë është dërguar në zyrat e kompanive celulare kërkesa për tërheqjen e tabulateve të viktimës dhe mbi 12 personave të tjerë, mes të cilëve të afërm dhe persona të dyshuar si të lidhur me “historitë e konfliktit të pronave” për të arritur më pas në një hetim rrethanor bazuar tek këto tabulate. “Pritshmëria për prova shkencore nga vendi ngjarjes është praktikisht zero. Eksplozivi shkatërron dhe provat pasi arrin objektivin. Shpresat tona janë në të dhënat operative, informacionet e familjarëve që mund të jenë më të informuar si dhe në pritshmërinë nga tabulatet”, - u shprehën dje ekspertë të grupit hetimor.