Bum pallatesh në Sarandë, askush nuk tenton të blejë
• Kanë vrapuar që të ndërtojnë kush e kush më shumë, por tani të gjithë ndërtuesit kanë ngelur me sytë nga blloku i shitjeve.SARANDE/ Shpresa DineJanë plot 1500 apartamente të reja banimi që në Sarandë kanë ngelur stok dhe nuk shiten. Në këtë mënyrë, një pjesë e mirë e parave të hedhura në beton ende nuk është shlyer, duke krijuar kështu një hendek mjaft të madh mes investimit dhe fitimit. Ndërkohë që ata që pëlqejnë turizmin në këtë zonë bregdetare, rrinë me shpresë që çmimet nga 600-1000 m2, të bien edhe pak.Industria e ndërtimit është sektori kryesor ku janë mobilizuar mbi 60 për qind të fondeve të investuara nga privatët në Sarandë. Bumi i ndërtimeve, veçanërisht për apartamente banimi, sidomos këto pesë vitet e fundit, e ka ndërruar tërësisht qytetin. Në çdo pjesë të qytetit, në qendër dhe në periferi, në zonën Turizëm - Kanali i Çukës, por edhe nga lagjja e Limjonit, për të mos lënë pas edhe paksa anën e detit, ndeshesh me ndërtesa shumëkatëshe, me ndërtesa shumica e të cilave janë ndërtuar për apartamente banimi. Apartamente banimi që nuk gabon kur ndodhesh para pallateve shumëkatëshe të shprehesh se këto janë apartamente që presin blerësit. E të kësaj natyre llogariten rreth 1500 të tilla, të cilat kanë përfunduar dhe janë në pritje të blerësit. Kjo shifër del qartë nga mbi 100 leje ndërtimi në vit, që janë dhënë nga bashkia për pesë vitet e fundit.Vangjel Tuni, përgjegjës i zyrës së sekretarisë teknike në Drejtorinë e Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës, i pyetur për këtë thotë: fenomeni ka ndodhur se duke ditur se biznesi i ndërtimit të pallateve disakatëshe do të ishte në çdo kohë fitimprurës, firmat e ndërtimit kanë rendur pas kësaj. Këto pesë vitet e fundit ka pasur bum kërkesash për leje ndërtimi jo vetëm për objekte individuale, por edhe për godina banimi shumëkatëshe. Eshtë punuar nga firmat e ndërtimit, - vazhdoi ai, me idenë se do të kishte fitime afatshkurtra, pa bërë plan biznesi dhe natyrisht edhe analizën e tregut. Kjo ka sjellë që oferta të jetë shumë më e madhe se kërkesa në Sarandë. Fuqia blerëse ka rënë dhe se investitorët janë mbështetur në mëshirën e fatit kur kanë nisur ndërtimin e objektit. Por investitorët gjithashtu nuk i kanë dhënë shumë rëndësi mënyrës së reklamimit të produktit të tyre, thotë specialisti i urbanistikës, kjo ndoshta edhe deri në përpjekje për të thithur investitorë të huaj. E megjithatë edhe pse jemi përpara një fenomeni që në këtë qytet ka apartamente ende të pashitur, ka përsëri ndërtues në Sarandë që vazhdojnë të kërkojnë leje ndërtimi për godina banimi, deri në gjashtë kate. Niko Çollaku, administrator i një firme ndërtimi, i pyetur për këtë fenomen në qytet, është optimist për të ardhmen e fatit të këtij numri ndërtimesh në Sarandë kur shprehet se, i vërtetë është fakti se ka apartamente që janë ende të pashitura, por them se gjendja do të ndryshojë shumë shpejt. Edhe pse muaj më parë janë shitur rreth 30 hyrje për norvegjezët, ende mbeten apartamente të pashitur. Një shesh ndërtimi në Sarandë shitet nga 3–5 milionë lekë, kur një hyrje shitet nga 600–1000 euro m2.SUGJERIMIMentaliteti i ri“Ka ardhur koha, - thotë specialisti i urbanistikës, Vangjel Tuni, për një fushatë sensibilizimi, kjo ndoshta edhe nga bashkia, që investitorët të gjejnë fusha të tjera investimi për Sarandën, duke ofruar mënyra të tjera të zhvillimit turistik dhe jo të mbetemi vetëm rob të ndërtesave për banim, si p.sh. për fshatra turistike dhe komplekse banimi të shoqëruara me mjedise çlodhëse e sportive. Këto mendoj do të jenë më atraktive për klientët dhe do të tërheqin investitorë të rinj. Investitorët që operojnë në tregun e ndërtimeve në Sarandë duhet të bashkëpunojnë edhe me zyra imobiliare në kryeqytet për të promovuar objektet e tyre si dhe të rrisin cilësinë e ndërtimit, në parametra bashkëkohorë.