Oketa takon shitësit e gabit
• DURRES - “Edhe unë do ta nënshkruaja atë peticion, pasi jam deputet i zonës tuaj”.Kështu i ka mbështetur zv.kryeministri Gazmend Oketa shitësit e tezgave dhe të tregut të rrobave të përdorura, të cilët kanë nisur prej javësh protestën e tyre. Një peticion me mbi 300 firma të biznesit të vogël durrsak ka mbërritur në dyert e qeverisë, duke refuzuar taksat e larta që duhet të paguajnë. Për t’u njohur nga afër me shqetësimet e shitësve ambulantë, në Prefekturën e Durrësit ka nisur punën një tryezë e rrumbullakët, pjesë e së cilës ishin edhe Gazmend Oketa, Vangjush Dako dhe Klodian Pajuni. Shitësit iu ankuan zv.kryeministrit se askush nuk blen më dhe se çdo gjë po shkon drejt falimentimit. Tregtarët e tezgave të qytetit bregdetar ankohen prej kohësh për taksa dhe qira të larta, si dhe për mungesën e kushteve më elementare të tregtisë. Zv.kryeministri dhe krerët vendorë të Durrësit u dhanë fjalën biznesmenëve se do të rishikojnë politikën e taksave të qirasë si dhe do të përmirësojnë kushtet e ushtrimit të aktivitetit. o.u