E Diel, 1 Nëntor 2026

Bum ratifikimesh të Protokollit të NATO-s, 17 vende mandatojnë reformat e kabinetit “Berisha”

Dhoma e deputetëve të Italisë dhe Bundesrati gjerman kanë ratifikuar dje protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke e çuar në 17 numrin e parlamenteve që mandatojnë kursin reformator të kabinetit Berisha. Thuajse e sigurtë përfundimi i procesit shumë përpara samtit të prillit të ardhshëm

Gjermania dhe Italia janë dy vendet e ardhës anëtare të NATO-s që ratifikojnë Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën Veri-Atlantike. Pas ratifikimit nga dhoma e deputeëve të Mbretërisë së Bashkuar dhe parlamenti i Estonisë, janë
Bundesrat-i gjerman (Këshilli federal) dhe Dhoma e deputetëve të Italisë që ratifikojnë protokollin e datës 9 korrik 2008 për Marrëveshjen e Atlantikut të Veriut mbi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e çuar tashmë në një kohë rekord në 17 numrin e shteteve që i hapin rrugën Shqipërisë për anëtarësimin e plotë.
Në këtë kuadër, pas ratifikimit nga Bundestagu (parlamenti) pak ditë më parë dhe tashmë edhe nga Bundesrati, Gjermania përmbyll procedurën parlamentare të ratifikimit.
Në një deklaratë për shtyp të Ambasadës së Gjermanisë në Tiranë, theksohet se “qeveria federale e Gjermanisë është e bindur, se anëtarësimi në NATO i Shqipërisë do të japë një kontribut kyç për sigurinë dhe stabilitetin në Europë”.
“NATO është më shumë se një aleancë për mbrojtjen, ajo është edhe një bashkësi transatlantike e gjerë vlerash që mbështetet në parimet e demokracisë, lirisë individuale dhe shtetit ligjor dhe që është angazhuar për nxitjen e paqes dhe stabilitetit”, theksohet në njoftimin e Ambasadës gjermane në vendin tonë.
Me këtë rast, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, përmes një letre dërguar Kryetarit të Bundestratit gjerman Peter Muller, falenderoi anëtarët e Bundesratit për votën e tyre “pro” anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, dhe besimit të tyre te vlerat e kombit shqiptar dhe vlerësimit të progresit të Shqipërisë.
Pas Bundesratit gjerman, edhe deputetët e parlamentit Italian i kanë dhënë votën “pro” anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ashtu siç kishte konfirmuar Kryetari i Dhomës së Deputetëve, Gianfranco Fini, gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë.
Pas këtij ratifikimi pritet që të hënën edhe Senati italian të ratifikojë këtë protokoll, duke mbyllur kështu procesin e ratifikimit nga Italia.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli më anë të një letre i ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e tij personal, Kryetarit të Dhomës së Deputetëve, Gianfranco Fini ndërsa ka falenderuar edhe në emër të Kuvendit të Shqipërisë, miqtë italianë për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Shqipërisë si në procesin e integrimit në BE ashtu edhe në atë të anëtarësimit në NATO.
Numri i parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s që po ratifikojnë këtë protokoll, po rritet me një ritëm të shpejtë, duke hapur kështu rrugën që në Prill të vitit të ardhshëm në Samitin e Strasburgut, Shqipëria të bëhet pjesë e Aleancës së Veriut krah vendeve të familjes më të madhe të lirisë.
Vendet e NATO-s që japin miratimin njëherazi shprehin vlerësimin për Shqipërinë duke e konsideruar që falë progresit të bërë dhe vullnetit të treguar meriton që shumë shpejt të jetë krah vendeve të Aleancës së Veriut.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›