E Diel, 1 Nëntor 2026

Ethet e zgjedhjeve e çojnë Edvinin të mashtrojë në qarqe për bashkimin e frikës me Ilir Metën

Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, po i shtohen dhimbjet e kokës në prag të hyrjes në vitin elektoral. Pas një politike bllokuse dhe aspak konsensuale brenda të majtës, ku kërkoi me çdo kush eliminimin e LSI-së nga procesi zgjedhor dhe mbajtjes afër të disa eksponentëve të trashëguar nga periudha komuniste si Skënder Gjinushi, duket se po ndryshon qëndrimin nekropolitik të tij, për të përfituar nga ndonjë bujari e Ilir Metës, siç ndodhi në zgjedhjet lokale të 2007-ës.
Para së gjithash Edi Rama po ndjen veten të humbur nga politika e luajtur gjatë kësaj kohe dhe ka filluar të organizojë disa qarqe të afërta të tij për ti kushtuar rëndësi idesë së bashkëpunimit të PS-së dhe LSI-së në zgjedhje, ashtu siç po bën Partia Demokratike me aleatët e saj.
Në këtë drejtim, shkrimtari Dritëro Agolli thotë se “frika se do të vazhdojnë të jenë ende në opozitë do t’i bindë të bashkohen, qoftë edhe pas zgjedhjeve”.
Nga kjo pikëpamje, pra e bashkimit pas zgjedhjeve, Agolli vë një pikëpyetje të madhe, pasi sipas tij, të ndarë veç e veç fitorja vihet në rrezik. “Po ta themi në mënyrë popullore, ata do t’i bashkojë frika, se në frikë njerëzit bashkohen. Në mos e bëfshin përpara zgjedhjeve, pas do ta bëjnë. Nëse janë të ndarë veç e veç, vihet një pikëpyetje e madhe për fitoren e zgjedhjeve të 2009-ës”, - deklaroi ai. Sa për performancën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, qëndrimet dhe rolin e saj brenda së majtës, Agolli u shpreh se kjo parti ka vitalitet dhe jo të ngjashme me partitë e krahut tjetër politik. “LSI-ja është një parti me një vitalitet shumë të madh dhe LSI-ja nuk është si partitë e krahut tjetër”, deklaroi Dritëro Agolli. Një muaj më parë, fill pas miratimit të Kodit Zgjedhor, ditën kur Rama paraqiti në mbledhjen e radhës së AK-së suksesin e miratimit të këtij ligji, Agolli u shpreh i bindur se e majta ishte e përçarë e në këtë situatë i ka të humbura zgjedhjet e 2009-s. “Nëse nuk bien në marrëveshje dhe në njëfarë armëpushimi, të mos shkojnë bajonetë më bajonetë, atëherë mund të fitojnë zgjedhjet. Në të kundërtën, vetëm po të ndodhë ndonjë mrekulli, mundet të fitojë e vetme një forcë politike. Por e vetme është vështirë që të fitojë një forcë politike”, u shpreh Agolli. Ai dha për shembull bashkimin e së djathtës, e cila e di se të ndarë nuk mund të rifitojnë zgjedhjet e qershorit që vjen.
“Edhe PD-ja, që është një parti e madhe dhe në pushtet, e ka parë të arsyeshme të bashkohet me aleatët e saj. Nëse nuk bashkohet, atëherë nuk fiton dot”, theksoi shkrimtari i njohur.
Një tjetër figurë brenda PS-së, Maqo Lakrori, ka kërkuar bashkimin e së majtës si të vetmen mundësi për fitoren e zgjedhjeve. PS-ja ka arritur të mbledhë rreth vetes dy aleatët e saj të vjetër, Gjinushin e Milon, por thuajse një vit u ndesh në vështirësi të mëdha me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Miratimi i Kodit Zgjedhor, ku LSI-ja me propozim të PS-së u përjashtua nga administrimi zgjedhor, ka acaruar mjaft marrëdhëniet mes tyre dhe e bën të thuajse tërësisht të pamundur ekzistencën e ndonjë mundësie bashkëpunimi.
LSI shkon e vetme në zgjedhje, përjashton çdo mundësi bashkëpunimi me PS/Lëvizja Socialiste për Integrim ka përforcuar qëndrimin e saj për të shkuar e vetme në zgjedhje dhe larg çdo bashkëpunimi apo afrimi me Partinë Socialiste. Gjatë një takimi të zhvilluar me anëtare dhe simpatizantë në Golem të Kavajës, kreu i LSI-së Ilir Meta tha se në zgjedhjet e ardhshme do të shkojë i vetëm, duke eliminuar ekzistencën çfarë do lloj bashkëpunimi me Edi Ramën. Sipas Metës LSI në këto zgjedhje do hyjë e vetme, pa koalicion me PS apo PD dhe pas daljes se rezultateve do të gjykojnë për qeverisjen. “Në qëndrimet e LSI-së ka një koherencë absolute. LSI-ja ka qenë gjithmonë e angazhuar për një Reformë elektorale gjithë përfshirëse dhe jo përjashtuese, dhe në këtë drejtim në qëndrimin tonë nuk ka lëvizur asnjë presje. Ne jemi për një Reformë elektorale, e cila garanton ato standarde që OSBE-ODIHR ka kërkuar zyrtarisht pas zgjedhjeve të 2005. 
Ne do te kemi alternativën tonë të pavarur në zgjedhje, jo vetëm nga PD-ja po edhe nga PS-ja. Pas zgjedhjeve, në varësi të votëbesimit që do të japë elektorati, ne do të gjykojmë për qeverisjen e ardhshme te vendit”, u shpreh ai.
Duke iu rikthyer kritikave ndaj Ramës, Meta e akuzoi këtë të fundit se po bën lojë të pisët dhe po shtiret bashkë me deputetët e tij që braktisin seancat e kuvendit për vonesën e mbërritjes së Kodit Zgjedhor në parlament.
“Është për të ardhur keq që përfaqësuesit e PS-së bojkotojnë Parlamentin për arsye se dëshirojnë të vijë sa më shpejt Kodi Zgjedhor. Atë nuk e ka kthyer LSI-ja, Kodin e ka kthyer Presidenti i Republikës, dhe nuk besoj se është thjesht çështje date, por është çështje përgjegjësie për zgjedhjet që po afrojnë. Në rast se lidershipi i PS-së apo i PD-së kishin si shqetësim kryesor për standardet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, nuk kishin arsye pse ta shtynin Kodin për dy vjet duke bllokuar Komisionet parlamentare për Reformën Zgjedhore, dhe ta sillnin atë vetëm javët e fundit. Ndaj Kodi duhet të ishte bërë në kohë, në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse.
Ne kemi qenë opozita kryesore gjatë gjithë këtij viti, dhe jo opozita teatrale dhe do të jemi garancia për një qeverisje progresiste për Shqipërinë dhe shqiptarët pas Qershorit të vitit të ardhshëm”, tha kreu i LSI-së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›