Bum ratifikimesh të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Dhoma e deputetëve të Italisë ratifikoi sot protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Veriut.
Numri i vendeve që po miratojnë Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO po rritet në mënyrë të përshpejtuar duke shënuar një bum ratifikimesh.
Sot pas Bundesratit gjerman, deputetët e parlamentit Italian i kanë dhënë votën pro anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ashtu siç kishte konfirmuar Kryetari i Dhomës së Deputetëve, Gianfranco Fini, gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli në shtator të këtij viti në Tiranë.
Pas këtij ratifikimi pritet që të hënën edhe Senati italian të ratifikojë këtë protokoll, duke mbyllur kështu procesin e ratifikimit nga Italia.
Italia është kështu vendi i shtatëmbëshjetë që ratifikon Protokollin e anëtarësimit të shqipërisë në NATO, ndërkohë që vetëm dy ditët e fundit katër parlamente të vendeve anëtare të NATO-s (Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Estonia, Italia) kanë dhënë miratimin dhe njëkohësisht vlerësimin për Shqipërinë duke e konsideruar një vend që falë progresit të bërë dhe vullnetit të treguar meriton të jetë krah vendeve të Aleancës së Veriut.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli më anë të një letre i ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e tij personal, Kryetarit të Dhomës së Deputetëve, Gianfranco Fini ndërsa ka falënderuar edhe në emër të Kuvendit të Shqipërisë, miqtë italianë për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Shqipërisë si në procesin e integrimit në BE ashtu edhe në atë të anëtarësimit në NATO.